Nga SPAK ku ka detyrimin për tu paraqitur dy herë në muaj kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi gjyqësorin fillimisht, Prokurorin e Përgjithshëm qeverinë e gjyqësorit, që rrëzoi verifikimin ndaj gjykatëses Irena Gjokës, e më pas Inspektorin e Lartë të Drejtësisë që ka në duar vendimmarrjen ndaj saj.
“Irena me 5 mbiemra, e cila mbrohet nga Altin Troplini. Prokurori i Përgjithshëm u zvarrit dy vite duke lëpirë çizmet e Irena Gjokës me shumë mbiemra, sepse nuk kishte të qartë se vula apostile nuk kërkon vërtetime. Kulmin e arrin KLGJ-ja, e cila në akte mashtrimi, në akte kriminale ka hedhur poshtë kërkesat për shqyrtimin e saj. Pra a mund të imagjinoni një institucion zyrtar që mashtron dhe shumëzon veten me zero për hir të Irenës me 5 mbiemra apo që lëpin çizmet e Irenës? Pastaj vjen famozi ILD, edhe ai nuk mund të bënte përjashtim pasi dokumentet kalonin nga njëri tek tjetri”, tha Berisha.
Por sulmet e tij vijuan edhe ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ka ndërmarrë një nismë për të ndryshuar vendimin unifikues të vitit 2011, për paraburgimet, duke thirrur një mbledhje të Kolegjit në 9 prill.
“Denoncoj si akt jashtëzakonisht të rrezikshëm vendimin e partizanit të Edi Ramës, Sokol Sadushit. Me vendimin që ka bërë e ka shndërruar Shqipërinë në një vend shumë herë më të rrezikshëm se sa është. U krijon mundësi të gjithë kriminelëve të arratisen. Me vendimin e tij krijoi një mburojë për krerët e organizatave kriminale, qofshin ato zyrtarë ose jozyrtarë. Të gjitha mandatet e arrestit tani do përfundojnë në arrati dhe në kërkim me këtë vendim që ka bërë Sadushi. Është Edi Rama ai që kalonte nga një studio në studio dhe kërkonte arrestimin për pagesat e dritave dhe të ujit. Ka burgosur njerëz për një faturë”, tha Berisha.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK se ka kryer korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin e tij, i bashkëpandehur në këtë proces. Nga ana tjetër Jamarbër Malltezu akuzohet se ka kryer edhe pastrim parash si pasojë e privatizmit të trojeve të ish- kompleksit sportiv Partizani. SPAK thotë se kjo vendimmarrje i atribuohet Sali Berishës kur kur ishte kryministër i vendit.





