Asambleja e përgjithshme e Partisë Socialiste do të mbahet në 21 mars.
Vendimi erdhi pas mbledhjes së kryesisë në selinë rozë, e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Megjithatë detajet u bënë me dije nga sekretari i përgjithshëm Blendi Klosi, i cili u shpreh se kërkohet rifreskim i strukturave.
“Është proces që do përfshijë të gjithë forumet e PS dhe do shtrihet në çdo qelizë të PS në gjithë vendin. Në mbledhjen e datës 21 do kemi për diskutime për përfshirjen të të gjithë anëtarëve të PS, në një proces që do t’i hapë rrugën edhe zgjedhjeve të reja, që PS ka kërkuar gjithmonë rifreski. 12 qershori i këtij viti shënon 35-vjetorin dhe gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë”, tha Klosi.
Klosi gjithashtu bëri me dije se do të ngrihen dhe struktura për diasporën duke i cilësuar si të domosdoshme për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Do ketë vendimmarrje për shtrirjen e strukturave lokale dhe në degët në diasporë, sigurisht në vendet që kishim numrin më të madh të votave. Kësaj vote në do t’i përgjigjemi me organizim strukturash, krijimin e strukturave kudo që shqiptarët ndjekin, mbështesin votojnë, PS”, tha Klosi.
Të hënën, mazhoranca bëri të qartë dhe vendimin për Belinda Ballukun ndonëse Klosi theksoi se mospranimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e saj nuk është një sulm i mazhorances ndaj drejtësisë së re.
“Kjo parti e ka shprehur qartazi qëndrimin, në asnjë rast nuk kemi asnjë diskutim sa i përket organeve të drejtësisë së re. Kemi ardhur në pushtet në 2013 me premtimin e reformës në drejtësi, vazhdojmë të mbështesim, ta jetësojmë dhe qëndrojmë të baraslarguar nga drejtësia sa i përket vendimmarrjeve të saj. Ne i qëndrojmë 100% parimit, nuk përfshihemi në asnjë proces hetimor, të tjerat janë raporte që i takojnë Kuvendit, në asnjë rast s’do kemi pengim të hetimi, koment për hetimin”, deklaroi Klosi.
Në mbledhjen që zgjati më shumë se një orë në selinë rozë, e pranishme ishte dhe Belinda Balluku, e cila ndonëse nuk ka një post në qeveri, vijon të jetë drejtuese politike e qarkut të Fierit.





