Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se rreziku që virusi vdekjeprurës Nipah të përhapet përtej Indisë është i ulët, duke shtuar se nuk rekomandon vendosjen e kufizimeve për udhëtimet apo tregtinë, pas konfirmimit të dy rasteve në këtë vend të Azisë Jugore.
Hong Kongu, Malajzia, Singapori, Tajlanda dhe Vietnami janë ndër vendet aziatike që këtë javë kanë forcuar kontrollet në aeroporte, si masë parandaluese ndaj një përhapjeje të mundshme të virusit, pasi India konfirmoi dy infeksione.
Sipas OBSH-së, rreziku i përhapjes së mëtejshme nga këto dy raste konsiderohet i ulët, ndërsa theksohet se India ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar dhe kufizuar shpërthime të tilla. Organizata shton se aktualisht nuk ka prova që të tregojnë rritje të transmetimit nga njeriu te njeriu dhe se është në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet shëndetësore indiane.
Megjithatë, OBSH nuk përjashton ekspozime të tjera ndaj virusit, i cili qarkullon natyrshëm te popullatat e lakuriqëve të natës në disa rajone të Indisë dhe Bangladeshit fqinj.
Virusi Nipah transmetohet kryesisht nga lakuriqët e natës frutëngrënës dhe nga kafshë si derrat. Ai mund të shkaktojë ethe dhe inflamacion të trurit dhe ka një shkallë vdekshmërie që varion nga 40% deri në 75%. Aktualisht nuk ekziston një trajtim i miratuar, megjithëse disa vaksina ndodhen në fazë testimi.
Infektimi te njerëzit ndodh përmes kontaktit me kafshë të infektuara ose konsumimit të frutave të ndotura, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu nuk është i lehtë dhe zakonisht kërkon kontakt të zgjatur me persona të infektuar.
Ekspertët theksojnë se shpërthime të vogla nuk janë të pazakonta dhe se rreziku për popullatën e gjerë mbetet i ulët. Burimi i saktë i infeksionit ende nuk është plotësisht i qartë.
OBSH e konsideron virusin Nipah si prioritet global për shkak të mungesës së vaksinave ose trajtimeve të licencuara, shkallës së lartë të vdekshmërisë dhe shqetësimeve se virusi mund të pësojë mutacione që do ta bënin më lehtë të transmetueshëm.
Dy punonjës shëndetësorë të infektuar në fund të dhjetorit në shtetin indian të Bengalit Perëndimor ndodhen të shtruar në spital, sipas autoriteteve lokale.
/vizionplus.tv





