Mazhoranca socialiste do t’i japë edhe një mundësi Partisë Demokratike për t’u bërë pjesë e reformës territoriale, duke vendosur ta presë në komision deri të hënën.
Sot, konferenca e kryetarëve u mblodh për të diskutuar propozimin e socialistëve për të ndryshuar përbërjen e komisionit të posaçëm të reformës territoriale, duke i hequr opozitës barazinë e anëtarëve dhe bashkëkryetarin.
Mazhoranca argumentoi se ky ndryshim është i nevojshëm për të zhbllokuar punën e komisionit, pasi opozita e ka bojkotuar atë.
Por, në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, demokrati Gazment Bardhi deklaroi se opozita nuk ka bojkotuar, dhe mungesa në dy mbledhje lidhet me arsye të tjera.
“Ne ju themi se duhen procese konsensuale, hajdeni të gjejmë mekanizma dialogu, nën frymën e rekomandimeve të BE-së. Ju thoni: jo! Hajdeni këtu, flisni kot, ne do të bëjmë çfarë të duam. Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur ju fasadën sikur çdo gjë funksionon normalisht”, tha Bardhi.
“Bëjmë të hënën një mbledhje tjetër të Komisionit të Reformës Territoriale. Nëse ju vini, e lëmë përbërjen siç është. Nëse bojkotoni sërish të hënën, atëherë në seancën e së martës ne votojmë ndryshimin e përbërjes”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Demokratët kanë bojkotuar reformën territoriale dhe atë zgjedhore pas zgjedhjes së Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, dhe mbetet për t’u parë nëse ata do të kthehen në komisione apo jo.
Ndërkaq, në konferencën e kryetarëve, mazhoranca dhe opozita u përplasën edhe për çështjen Balluku.
Kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, deklaroi se kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po shkel rregulloren duke vendosur të mos mbledhë Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut.
Mësohet se gjatë mbledhjes, Bardhi ka deklaruar se SPAK për këtë çështje ka regjistruar procedim penal pas kallëzimit të PD-së.
Por, socialistët në mbledhje kanë përsëritur qëndrimin se kërkesa e SPAK-ut do të shqyrtohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.





