Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dhabi për samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ky takim i nivelit të lartë, me pjesëmarrjen e liderëve të disa shteteve të botës është një iniciativë që synon të ndihmojë vendet në zhvillim.
Pas nisjes së punimeve të samitit, kreu i qeverisë, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed” të cilat iu dhanë projekteve dhe organizatave që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri ndau dhe disa foto nga samiti ku u takua me presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.
Pritet që kreu i qeverisë shqiptare të mbajë fjalën e tij në tryezën “Rinia në qëndrueshmëri”.





