Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, kërkoi plotësimin e vakancave të magjistratëve si një hap kryesor për ecurinë e reformës në drejtësi. Duhet që ato të plotësohen.
“Që këtë muaj, të dy Këshillat, ai Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, pritet të kryejnë një vlerësim të detajuar të numrit të gjyqtarëve dhe këshilltarëve që Shkolla e Magjistraturës duhet të pranojë”, nënvizoi Gonzato.
“E di që nuk është e lehtë të punohet nën presion, me një numër të madh dhe në rritje çështjesh të prapambetura, duke garantuar njëkohësisht një cilësi të lartë të drejtësisë. Thënë thjesht, na duhen më shumë gjyqtarë, të mbështetur nga një numër i mjaftueshëm këshilltarësh dhe ndihmësish ligjorë, duke marrë parasysh nevojën për të reduktuar stokun e madh të çështjeve të prapambetura, nevojën për të promovuar specializim më të madh të gjyqtarëve, si dhe nevojën për të pasur fleksibilitet për një numër më të madh angazhimesh të përkohshme.”
Parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një gjyqësor i pavarur, tha diplomati.
“Ekziston edhe një element tjetër kyç që duhet marrë parasysh në diskutimet e sotme, duke pasur parasysh se Shqipëria synon të bëhet një shtet anëtar i BE-së dhe po bën përparim në këtë drejtim: integrimi i parimeve të së drejtës së BE-së në vendimmarrjen gjyqësore. Në të ardhmen e afërt, qytetarë të BE-së mund të dëshirojnë të krijojnë biznese në Shqipëri, të konsumojnë produkte të prodhuara në Shqipëri, të blejnë tokë ose të përfitojnë shërbime të bazuara në Shqipëri.”
Ambasadori shprehu mbështetjen ndaj drejtësisë përmes programit “EU4JUSTICE”, duke nënvizuar praninë e tij edhe në vazhdim.
Të pranishëm në konferencë ishin kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ai i qeverisjes së gjyqësorit, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela dhe përfaqësues të SPAK-ut.
/vizionplus.tv





