Kryedemokrati Sali Berisha, në “Foltoren” e parë të këtij viti para Kryeministrisë, tha se viti 2026 është i ngjashëm me vitet e rrëzimit të diktaturave komuniste në Europë.
Ai tha se arrestimi i Maduros është një lajm i mirë për shqiptarët. Sipas Berishës, presidenti Trump ka paralajmëruar të gjithë diktatorët se do të kenë fatin e Maduros, duke shtuar se edhe Ramën e pret i njëjti fat.
“Viti 2026 ngjan shumë në histori me vitin e rrëzimit të diktaturave komuniste, njëra pas tjetrës. Sot diktaturat më të përhapura janë narkodiktaturat dhe autokracitë elektorale. Lavdi Zotit, Ushtria Amerikane, në një operacion më të përsosurin në histori, arrestoi dhe nxori sot para gjyqit Ramaduron e Venezuelës. Mediat e majta të kontrolluara në Shqipëri, nga mëngjesi deri në darkë, u bien borive se u shkel sovraniteti, se kjo shkeli ligjin ndërkombëtar. Miq, dhunuesit më të mëdhenj të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar janë diktatorët dhe diktaturat. Nuk ka sovranitet në një vend ku zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale. Narkodiktatori që shndërron zgjedhjet në farsë asgjëson sovranitetin. Presidenti Trump nga dje deri sot ka përsëritur: ti, Maduro, je i pari, të tjerët vijnë pas teje. E vërteta është se ky akt solli ngricë të madhe, terror në Surrel. Rama ngriu dhe e kyçi dje podkastin e tij ‘Mashtrimi’, se nuk çeli asnjë fjalë goje”, tha Berisha.
Më tej, kryedemokrati tha se shqiptarët nuk do të presin Forcat Delta të arrestojnë Ramën, por do ta bëjnë vetë këtë gjë.
“Ne nuk presim që Forcat Delta të zbarkojnë në Surrel. Këta ‘deltat’ që i ke këtu përpara, prit në Surrel sa të mbërrijë urdhri. Njëlloj si Maduro, edhe ti në sallën e gjyqit do të përfundosh. Ky është viti në të cilin do të triumfojmë”, theksoi Berisha.





