Ministria e Brendshme italiane ka hartuar tashmë planin për rihapjen e qendrës së Gjadrit në Shqipëri, një proces që pritet të nisë që në pranverë. Ky hap do të konkretizohet nëse më 17 dhjetor kalojnë pa pengesa negociatat e trilogut mbi tre rregulloret e reja që Këshilli i BE miratoi të hënën. Më pas, ato duhet të miratohen edhe në Parlament, madje përpara hyrjes në fuqi të Paktit të ri të Azilit dhe Migracionit më 12 qershor.
Sipas planit të ministrit italian të Brendshëm, Matteo Piantedosi, qendra e Gjadrit do të presë azilkërkues që vijnë nga vende të sigurta, të cilët do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Migrantët nuk do të përpunohen më drejtpërdrejt në det në anijet e Marinës Italiane, por do të dërgohen në Shqipëri pasi të mbërrijnë në pikat e nxehta italiane qoftë nga anijet e Marinës, me varka të vogla apo pas shpëtimit nga OJQ-të.
Në bazë të rregulloreve të reja evropiane, qendra shqiptare do të funksionojë si një strukturë kthimi në një vend të tretë të sigurt. Kjo do t’i mundësojë Italisë të ndalojë përkohësisht migrantët nga vendet e sigurta, aplikimet e të cilëve do të trajtohen me procedura të përshpejtuara. Autoritetet italiane parashikojnë një fluks më të madh se herën e parë, duke pasur parasysh se lista e re e BE-së e vendeve të sigurta përfshin edhe Bangladeshin dhe Egjiptin vendet e origjinës së mbi 28.000 migrantëve që mbërritën në Itali vetëm në vitin 2025. Po ashtu, edhe tunizianët e marokenët mund të riatdhesohen më shpejt.
Ministria e Brendshme italiane vlerëson se kapaciteti prej rreth 1.100 vendesh në Gjadër do të mbushet shpejt, pasi procedurat e shpejtuara parashikojnë kthimin brenda një muaji. Ndryshe nga më parë, migrantët nuk do të mund të apelojnë në gjykatë për të shmangur paraburgimin ose për të kërkuar kthimin në Itali derisa të merret vendimi përfundimtar—një praktikë që aktualisht u ka mundësuar shumë prej tyre të dalin nga qendrat e ndalimit. Rregullorja e re e BE-së heq pezullimin automatik të dëbimit për ata që paraqesin apel, përveç rasteve kur gjykatësi urdhëron ndryshe.
Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, nga Brukseli deklaroi se këto rregulla të reja do të sjellin qartësi juridike dhe operative: “Situata po shkon drejt një zgjidhjeje përfundimtare dhe nuk do të ketë më hapësirë për hezitime jurisprudenciale”.
Me këtë bazë ligjore, qeveria italiane po përgatitet të riaktivizojë mekanizmin e transferimit të migrantëve në Shqipëri, duke besuar se lista e re evropiane e vendeve të sigurta do të mjaftojë për të kapërcyer të gjitha kundërshtimet që më parë çuan në anulimin e ndalimeve nga gjykatat italiane. Si rezultat, qendra e Gjadrit një nga elementet kryesore të modelit shqiptar, të cilin Konferenca e Ipeshkvijve Italianë e cilësoi dje “në kufijtë e demokracisë” ka mbetur kryesisht bosh deri më tani./La Repubblica
/vizionplus.tv





