Mes ujit dhe trafikut u zgjua Lezha këtë të mërkurë.
Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë krijuar probleme të shumta dhe sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë prani uji në bllokun e banimit “11 Janari” dhe lagjen “Besëlidhja”.
Niveli ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.
Ndërkohë nga moti i keq me shi në disa zona është krijuar trafik i rënduar dhe kaos në lëvizje në pjesën më të madhe të qytetit të Lezhës.
Reshjet e dendura dhe me intensitet kanë përfshirë edhe Vlorën.
Sheshi para Universitetit “Ismail Qemali” u përmbyt i tëri duke vështirësuar futjen e studentëve në Fakultetin Ekonomik, ndërsa uji mbuloi trotuaret dhe një pjesë të rrugës.
Sipas banorëve të zonës, problemi lidhet me kanalizimet e bllokuara dhe mungesën e mirëmbajtjes, duke e kthyer zonën në një pikë të përhershme problematike gjatë stinës së reshjeve./vizionplus.tv





