Puna e Komisioneve Parlamentare këtë të martë nisi me një minutë heshtje.
Ngjarja tronditëse në Gjykatën e Apelit ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje gjatë seancës nuk u la jashtë vëmendjes në Komisionin e të Drejtave të Njeriut, ndonëse në fokus të mbledhjes ishte raportimi vjetori i Avokatit të Popullit.
Ishte pikërisht kryetarja e këtij institucioni Erinda Ballanca, e cila kërkoi më shumë kushte dhe siguri për institucionet në mënyrë që të shmangen fatkeqësitë.
“Sepse sado që kemi ngritur zërat për problematikat në Komision e Ligjeve, apo në raportet që ka bërë Avokati i Popullit, për ecurinë e Reformës në Drejtësi, ne nuk ia kemi dalë që të jemi pranë gjyqtarëve, të cilët kanë përjetuar një stres të jashtëzakonshëm, për shkak të procedurave por edhe për shkak të ngarkesës me dosje të papërballueshme për kapacitetet njerëzore”, tha Erinda Ballanca, avokate e Popullit.
Rritja e sigurisë në institucione u mbështet dhe nga anëtarët e mazhorancës, ndërsa opozita nuk i kurseu kritikat.
“Është këshilli i ministrave në 2020 ka hequr policët në gjykata. Kjo VKM ka bërë që të mos kenë siguri të jenë të pambrotjur gjykatës dhe hyjnë njerëz pa armë dhe nuk është rastësore vetë-gjyqësia. Se kur qytetarët shohin kryeministrin e vendit të tyre që bën vetëgjyqësi me vendimet e gjykatave, do bëjnë vetëgjyqësi”, tha Gazmend Bardhi.
Gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit sapo dha vendimin për një çështje pronësie që kishte mbetur pa zgjidhje shumë vite, në dyert e gjykatave.
/vizionplus.tv





