Policia e Shtetit ka finalizuar në Shqipëri një fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “Fingerprint”, zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Qarkut Antimafia “Compagnia Carabinieri” në Borgo San Lorenzo, Firence, dhe Zyrën e Sigurisë pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë.
Operacioni, i shtrirë në të dyja shtetet, kishte si objektiv kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë italiane të pjesëtarëve të një organizate kriminale të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe kanabisit gjatë periudhës 2020–2021, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 41-vjeçarit Edi Hoxha alias Edison Hoxha në Fier, i cili akuzohet si koordinator i veprimtarisë kriminale të organizatës.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Gjykata e Firences kishte lëshuar 12 urdhra arresti, prej të cilëve 10 u ekzekutuan (9 në Itali dhe 1 në Shqipëri), ndërsa dy persona të tjerë janë ende në kërkim.
Për 41-vjeçarin shqiptar, drejtësia italiane ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, që parashikon deri në 24 vite burgim.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Italisë.
NJOFTIMI:
Në kuadër të operacionit “Fingerprint”, Gjykata e Firenzes lëshoi 12 urdhra arresti, 10 prej të cilëve u ekzekutuan (9 në Itali dhe 1 në Shqipëri), ndërsa 2 shtetas u shpallën në kërkim.
Gjatë kësaj faze të operacionit “Fingerprint”, shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, lokalizuan në Fier, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. H. alias E. H.,, 41 vjeç, lindur në fshatin Portëz, Fier.
Gjykata e Firences, me vendimin e vitit 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale, veprimtari e cila dënohet nga Kodi Penal i Italisë, me maksimalisht 24 vjet burgim.
Shtetasi E. H. alias E. H. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, ka koordinuar veprimtarinë kriminale të një organizate të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 41-vjeçarit, në Itali.





