Partia Demokratike kërkon përsëritjen e mbledhjes së Parlamentit për votëbesimin e qeverisë, duke i bërë apel Presidentit të Republikës të mos pranojë kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e drejtuar prej tij të kryejnë betimin.
Deputetët e opozitës, në mbledhjen që u zhvillua pas seancës plenare, vendosën gjithashtu të nisin procedurat për shkarkimin e Niko Peleshit nga posti i kryetarit të Kuvendit, pasi për demokratët, kryeparlamentari shkeli Kushtetutën duke mbyllur seancën pa lënë deputetët të diskutojnë. Gjatë mbledhjes së grupit, kryetari i PD, Berisha, hoqi paralele mes diktatorit komunist Enver Hoxha dhe kryeministrit Edi Rama.
“Në vitin 1946, Enver Hoxha i mori dhe i pushkatoi ata deputetët e opozitës, kurse ky faktikisht pushkatoi parlamentin sot. Ky pushkatoi Kushtetutën sot”, tha Berisha.
Sipas Berishës, mbyllja e Parlamentit ishte një skenar i parapërgatitur i kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës socialiste.
“Edi Rama ka paraqitur një program mashtrim fund e krye dhe e di që opozita këtë program do t’u faktonte shqiptarëve se ky është vetëm mashtrimi i radhës dhe asgjë tjetër. Do u dëshmonte shqiptarëve se siç ka vjedhur shuma përrallore në 64 miliardë euro të 12 viteve që ka administruar, vjedhjet në këtë mandat do jenë shumë të mëdha. Do u dëshmonte shqiptarëve se ata që kanë ardhë, ata janë ndër më të përsosurit në hajdutëri, në vjedhje. Se jo një Diella apo 5 Diella, por 120 Diella nuk mbulojnë vjedhjet e Lubisë së papërmbajtur. Pra, ai faqezi sterrë, qoftë me ekipin e tij, qoftë me bëmat e tij, zgjodhi asgjësimin e parlamentit në momentin më kyç.”
Berisha u bëri apel deputetëve të kalojnë në veprim kundër qeverisë.
“Ne duhet të kalojmë në veprime, veprime dhe vetëm veprime. Ai nuk humbi kohë ndaj nesh, ai tregoi fytyrën e tij, ne do tregojmë betejën tonë për të drejtën, për Kushtetutën, për Parlamentin, për qytetarin.”
Mësohet se në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat është rënë dakord që nuk do të ketë normalitet në Parlament, derisa të respektohet Rregullorja e Kushtetuta.
/vizionplus.tv





