Përfaqësuesja ekzekutive e Open Data Albania, Aranita Brahaj, e ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, komentoi emrat e kabinetit të ri të qeverisë Rama, me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029.
Brahaj u shpreh se nuk pa surprizë në emrat e kabinetit të ri qeveritar, teksa paralajmëroi se disa prej të zgjedhurve nuk do të jenë më ministra pas zgjedhjeve të bashkisë së Tiranës.
“Nuk kam ndonjë surprizë. Kur dëgjova listën, mendova se sa nga këta do jenë ministra deri në dhjetor, apo maksimumi deri në mars. Sepse kemi një grup të mirë Bashkish që nuk kanë kryetar. Dhe mendoj se disa nga këto figura nuk do të jenë pas zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.
Më befasoi lëvizja e disa ministrave. Z.Manjën prisja ta shihja në kabinet. Më bëri përshtypje një heqje gradash për zotin Gonxhe. Gonxja është kthyer në një ministër i Kulturës, nuk ka më shumë portofola si dikur ministër Ekonomie. E prisja që Ibrahimaj të merrte një gradim. Unë shoh Ibrahimajn në pozicionin e saj për 4 vite. Po ashtu dhe znj.Spiropali, nuk më ka surprizuar. Nga diplomacia parlamentare kaloi në diplomaci ministrie. Ajo mesazhin e dha shumë të qartë, që unë këtu dua të jem, tek diplomacia. Znj.Ballukun e shoh me afat elektoral, të jetë në një provë, se Tirana është një sfidë shumë e madhe edhe për socialistët”, tha Aranita Brahaj.
/vizionplus.tv





