PSG – Arsenal, do të jetë finalja e Champions League për këtë edicion. Kampionët në fuqi të turneut, barazuan 1-1 këtë të mërkurë në aktin e kthimit gjysmëfinal kundër Bayern Munich në Gjermani, teksa me rezultatin e përgjithshëm 6-5 kalojnë në finalen e Budapestit ku përballë më 30 maj do të kenë Arsenalin.
Pjesa e parë nisi me vrullin e kampionëve në fuqi, të cilët e mbyllën këtë fraksion me avantazhin 0-1. Ishte minuta e 3-të kur Osman Dembele, pas një kundërsulmi model dhe një asisti nga Kviça Kvaratskhelia, e dërgoi topin pas shpinës së Manuel Nojer.
Reagimi i bavarezëve erdhi në minutën e 22-të përmes Luis Diaz, por goditja e tij ishte e lartë. Pesë minuta më vonë, edhe Olize shpërdoroi një mundësi të mirë, duke e dërguar sferën mbi traversë.
Në minutën e 31-të, loja u shoqërua me protesta nga ekipi i Bajernit. Fillimisht u pretendua për një karton të dytë të verdhë ndaj Mendes për prekje të topit me dorë, e më pas për një penallti të mundshme pas një rasti të ngjashëm nga Zhoao Neves brenda zonës, por në të dyja rastet arbitri lejoi lojën.
Përpara se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes, Jamal Musiala kishte shansin e barazimit, por u ndal nga një ndërhyrje fantastike e portierit Safonov. Gjermanët provuan deri në fund duke gjetur golin e barazimit vetëm në minutën e katërt shtesë nga Harry Kane. Por kjo nuk mjaftoi që të bënin përmbysjen e madhe.





