Subscribe

Për demokratët e drejtuar nga Sali Berisha rikthimi i koalicioneve parazgjedhore me listë të përbërë është kusht i panegociueshem.

Nënkryetari Oerd Bylykbashi sqaroi në një konferencë për gazetarët platformën e opozitës për reformën elektorale, ku çështja kryesore është rikthimi te marrëveshja e 5 qershorit dhe zhbërja e ndryshimeve kushtetuese të miratuara pa konsensus në korrikun e vitit 2020.

“Çështja e koalicioneve është e panegociueshme për ne. Se është çështje e drejtë, votuesi zgjedh partinë që do”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi ka sqaruar se sistemi zgjedhor i vitit 2020 nuk është më ai i miratuar në vitin 2008. Sipas tij ky sistem deformon votën, duke sjelle si shembull rastin e LSI që me 107 mijë vota mori 4 mandate, ndërkohë që PSD me 30 mijë vota mori 3 mandate.

“Ne duam të barazojmë fushën e lojës, ku fiton ai që ka më shumë vota, jo ai që ka më shumë pushtet” u shpreh Bylykbashi.

Por nëse ka një element të papranueshëm për opozitën ai është primi, sistemi që i jep partisë më të madhe një numër shtesë mandatesh.

“Kërkon primin? Po për çfarë e kërkon Rama primin për tu bërë mbret?”

Në platformën e opozitës bie në sy kërkesa për ngritjen e një task force për krimet zgjedhore në krye të së cilës do të jetë SPAK, që është një prej institucioneve më të sulmuara nga demokratët e drejtuar nga Sali Berisha. Sipas Bylykbashit asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës ndaj SPAK, por demokratët presin që SPAK të bëjë detyrën që i ngarkon ligji.

“Ne SPAK-ut nuk i besojmë zgjedhjet, ne nuk i besojmë aspak. Ne i kërkojmë SPAK-ut të zbatojë ligjin. Ne po i kërkojmë SPAK-ut të bëjë detyrën e vet, nuk e ka bërë. Edhe kur ka veprùar, ka goditur opozitën. Mbajtja në arrest shtëpie e liderit të opozitës pa akuza është e paligjshme”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi solli në vëmendje se rekomandimi i parë i ODIHR pas zgjedhjeve lokale të 14 majit i drejtohet organeve ligjzbatuese, të cilat sipas ekspertëve të ODIHR duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për krime zgjedhore. Për këtë arsye opozita ka propozuar një mekanizëm të përhershëm për të luftuar krimet zgjedhore të drejtuar nga SPAK dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga prokuroria e përgjithshme,

KQZ dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Nga ana tjetër opozita kërkon që reforma zgjedhore të zgjedhë modelin më të mirë të listës së hapur, të garantojë votën e emigrantëve aty ku jetojnë, rikthimin e KQZ në formatin e dikurshëm me 7 anëtarë si dhe futjen e konceptit të votimit të detyrueshëm./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *