Prej vitit 1996, çdo vit në Bundestag përkujtohen krimet e nazizmit. Në fjalimet e tyre të mbijetuarit e Holokaustit ose kryetarët e shteteve të ftuar në parlamentin gjerman flasin edhe për rreziqet aktuale.
Kur, në vitin 2002, i mbijetuari i Holokaustit dhe ish-Ministri i Jashtëm polak, Bronislaw Geremek foli në ditën përkujtimore të viktimave të nacional-socializmit , disa muaj më parë bota ishte tronditur nga sulmet terroriste islamike më 11 shtator 2001 në SHBA. Historia bashkëkohore nuk e ka mbyllur “kapitullin e urrejtjes”, tha Geremek asokohe dhe bëri thirrje për “veprim të përbashkët ndërkombëtar”. Ai tërhoqi një vijë nga paralele mes nazistëve në gjenocideve pas vitit 1945. Bota nuk duhej të kishte qëndruar e pafuqishme kur u dogjën librat në Gjermani ose kur u shkatërruan monumentet e kulturës në Afganistan. “Pas tyre gjithnjë vijnë njerëzit”.
Presidenti i Izraelit paralajmëron për kërcënimin bërthamor të Iranit
Në vitin 2010, në pultin e folësve në Bundestag doli për herë të parë një president i Izraelit: Shimon Peres. Në vitin 2020 do të pasohej nga Reuven Rivlin. Peres paralajmëroi për kërcënimet që i bëhen vendit të tij nga armët e shkatërrimit në masë “në duar irracionale” dhe nga njerëzit “që nuk janë të arsyeshëm”. Peres kishte parasysh Iranin. Në mënyrë që të parandalojmë një Shoah të dytë “na mbetet që t’i mësojmë fëmijët tanë të respektojnë jetën e njerëzve dhe të mbajnë paqen me vendet e tjera”.
Sinto Zoni Weisz ankohet për anticiganizmin në Evropë
Në vitin 2011, një vit pas Shimon Peresit, në Bundestag u ftua Zoni Weisz. I lindur në vitin 1937 në Hagë (Holandë), sintoja humbi pothuajse të gjithë familjen e tij në kampet e shfarosjes naziste. Gjenocidi ndaj Sinti dhe Romëve është një “Holokaust i harruar”, tha Weisz. Gjysmë milioni burra, gra dhe fëmijë janë shfarosur. Megjithatë, shoqëria nuk ka mësuar pothuajse asgjë prej kësaj, “ndryshe do të na trajtonte më me përgjegjësi sot”.
Krahas Italisë dhe Francës, ai akuzoi edhe vendet e Evropës Lindore si Rumania dhe Bullgaria për trajtimin “çnjerëzor” të pakicës së tij. Ekstremistë të djathtë endeshin në Hungari dhe sulmonin hebrenjtë, Sinti dhe Romët. “Ne jemi evropianë dhe duhet të kemi të njëjtat të drejta si çdo banor tjetër, me të njëjtat mundësi si çdo evropian tjetër.
Dy të mbijetuar të Holokaustit vlerësojnë hapjen e kufirit në vitin 2015
Që kur qindra mijëra refugjatë nga vendet e luftërave civile në Afrikë dhe Azi erdhën në Evropë, kjo temë ka luajtur gjithashtu një rol në fjalimet përkujtimore në Bundestag. Studiuesja austriake dhe e mbijetuara e Holokaustit, Ruth Klüger, e lavdëron hapjen e kufijve të Gjermanisë për rreth një milion refugjatë, në vitin 2015. Vendi që ishte përgjegjës për “krimet më të këqija të shekullit” fitoi “duartrokitjet e botës”. Ajo tha se ishte një nga shumë të huajt “që kanë kaluar nga habia në admirim”.