Javën e ardhshme, qeveria pritet të zyrtarizojë një tjetër akt normativ për të rialokuar shpenzimet, si pasojë edhe e suficitit të krijuar. Deri në fund të tetorit, qeveria kishte shpenzuar 517 miliardë lekë, ndërsa deri në fund të vitit parashikohet të shpenzojë 771 miliardë lekë.
E thënë ndryshe, janë 2.5 miliardë euro që pritet të përdoren në dy muajt e fundit të vitit.
“Kjo është një sjellje buxhetore 30-vjeçare në menaxhimin dhe administrimin e buxhetit, që reflekton së paku mangësitë në hartimin e tij, në planifikimin e shpenzimeve, si dhe në projektet që vendosin të investojnë,” tha Adrian Civici, ekspert ekonomie.
Përqendrimi i një fondi të tillë në fund të vitit shton presionin për shpenzime pa cilësi.
“Ato investime bëhen, por cilësia lë për të dëshiruar dhe standardet nuk janë cilësore, sepse bëhen nën presionin e kohës,” shtoi Civici.
Qeveria argumenton se paratë shtesë në buxhet vijnë nga miradministrimi, por shpenzimet për investime kanë një ecuri të dobët, sidomos në pushtetin lokal, dhe një nga arsyet është SPAK-u, i cili po heton zyrtarë të niveleve të ndryshme për procedurat që ndjekin.
Sipas Civicit, kalimi i vlerave monetare në mënyrë të përqendruar pritet të ketë edhe një tjetër efekt:
“Shtimi i ofertës monetare në lekë vetëm në dy muaj mund të ndikojë pozitivisht edhe tek stabilizimi i kursit të këmbimit, duke sjellë një zhvlerësim të lehtë të monedhës europiane,” përfundoi Civici.
Aktualisht, euro është në kufijtë e 98 lekëve. Muaji dhjetor shoqërohet gjithmonë me një dobësim të mëtejshëm të monedhës europiane për shkak të kthimit të emigrantëve në atdhe. /vizionplus.tv





