103 kuti me pije alkoolike dhe energjike janë sekuestruar nga policia në në Qafë Morinë.

Policia bën me dije se për këto produkte që paguhet akcizë, operacioni u krye nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

Në pranga kanë rënë shoferi i makinës ku u kapën pijet dhe doganieri që lejoi kalimin e tyre.

“Gjatë operacionit, në hyrje të PKK Qafë Morinë, si rezultat i kontrollit të ushtruar nga shërbimet e DVP Kukës, në automjetin me drejtues shtetasin A. K., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 103 kuti me pije alkoolike dhe energjike (mallra për të cilat paguhet akcizë), të kontrabanduara në Shqipëri.    

Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 54 vjeç, banues në Bajram Curri.  

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 46 vjeç, banues në Zogaj, Tropojë, me detyrë doganier pranë PKK Qafë Morinë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer veprimet doganore ndaj mjetit tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin A. K., i cili transportonte mallrat nga Kosova drejt Shqipërisë””, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe shitja e mallrave kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *