E treta e vërteta për Realin dhe Bajernin. Sonte në “Bernabeu”, vetëm njëra prej tyre do të mund të mbetet në Champions League, pasi kanë arritur secila nga një kualifikim në 2 përballjet e mëparshme gjatë 6 sezoneve të fundit. Këto ekipe janë ndeshur 10 herë në total për fazën me eleminim direkt të kompeticionit madhor të futbollit. Deri tani kanë koleksionuar nga 5 kualifikime.

 

Reali sot niset në avantazh pas suksesit 2-1 me përmbysje që arriti një javë më parë në Gjermani. Por bavarezët shpresojnë ende, edhe pse e dinë që duhet të shënojnë të paktën 2 gola. Statistikat thonë se në historinë e Champions League vetëm dy ekipe kanë kaluar turin pas humbjes në takimin e parë në shtëpi: ia doli Interi pikërisht ndaj Bajernit në të tetat e finaleve 2010/2011 dhe Ajaksi me Panathinaikosin në gjysmëfinalet e edicionit ‘95/’96.

 

Javi Martinez është i skualifikuar për skuadrën e Ancelotit, i cili kthehet në stadiumin, ku festoi trofeun e fundit të Champions League që ishte i dhjeti për madrilenët. Tekniku italian rigjen Levandovskin, tashmë i rikuperuar nga dëmtimi që e la jashtë në sfidën e “Allianz Arena”.

 

Nga ana tjetër, Zidane duhet të zëvendësojë të dëmtuarin Bale. Ashtu si një javë më parë do të vazhdojnë të mungojnë mbrojtësit Varane dhe Pepe. Spanjollët i qetëson edhe një bilanc pozitiv në fushën e vet ndaj Bajernit, me 8 fitore, 1 barazim dhe vetëm 2 humbje. Për më tepër kanë 12 ndeshje të Champions League që s’humbasin në “Bernabeu”. Kurse gjermanët, që duan të shmangin eleminimin e parë pas 8 vjetësh në çerekfinale, numërojnë vetëm 2 fitore, 1 barazim e 9 humbje sa i takon precedentëve në Madrid.

 

Ja deklaratat e plota te teknikeve para takimit:

 

Zinedine Zidane, trajneri i Realit të Madridit: Bayerni ka skuadër të shkëlqyer në çdo repart. E dimë që kanë shumë cilësi, por si çdo skuadër tjetër edhe ata kanë pika të dobëta. Për këtë duhet të luajmë lojën tonë, të përgatitur sikurse në takimin e parë. Ndaj tyre ka për të qenë një ndeshje e madhe, e cila them se do vendoset nga detajet e vogla. Natyrisht duam ta fitojmë këtë ndeshje. Tashmë e kemi harruar takimin e parë, ndaj do dalim në fushë për të fituar. E dimë se sa i fortë është Bayerni.S’ndryshojnë shumë dhe presojnë deri në vërshëllimën e fundit. Prandaj na duhet të luajmë shumë shumë mirë.

 

Casemiro, mesfushor i Realit të Madridit: Arritëm një rezultat të mirë në ndeshjen e parë, por duhet të mbajmë të njëjtën frymë dhe të mos i marrim gjërat për të sigurta. Lewandowski ka plot cilësi, por s’është vetëm ai. Ata kanë plot lojtarë të rrëzikshëm. Xabi Alonso ishte humbje e madhe për Realin dhe ta kesh kundërshtar s’është aspak e lehtë.

 

Carlo Ancelotti, trajneri i Bayernit: Për t’u kualifikuar do na duhet një performancë e shkëlqyer. Sigurisht, kemi më pak shanse se javën e kaluar, por sidoqoftë… kemi shanse. Mendoj se në ndeshjen e parë luajtëm një ndeshje të mirë për 60 minuta. Duhet të luajmë ashtu sërish. Duhet të përpiqemi të zhvillojmë ndeshje perfekte me personalitet dhe karakter. Natyrisht prezenca e Lewandowskit do të na ndihmojë, por absolutisht s’kemi për të ndryshuar qasje, do të luajmë sikurse kemi bërë për gjatë gjithë sezonit.

 

Xabi Alonso, mesfushor i Bayernit: Ndaj tyre është një klasike e Evropës. Do na duhet të jemi perfekt. Çerek-finale në Bernabeu! Të gjihtë e njohim mirë këtë stadium.Natyrisht për mua është speciale të rikthehem këtu. Kam luajtur për pesë vite. Por mbetem i fokusuar. E dimë se do jetë e vështirë, por kemi ende shanse. Na duhet një fitore me të paktën dy gola. Shpresoj ta korrigjojmë atë që s’mundëm të bënim mirë në ndeshjen e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *