Duke theksuar se reformën zgjedhore mazhoranca mund ta kishte votuar edhe e vetme, kryeministri Edi Rama komentoi këtë të enjte në Parlament zhvillimet e fundit për këtë çështje.

Vëmendjen kryesore ai e ndali tek protagonizmi i faktorit ndërkombëtar në këtë proces. Rama u shpreh i keqardhur që duhet ende ndihma e ambasadorëve, por ai vlerësoi kontributin e tyre.

“Ne preferuam që të durojmë. Edhe pse puna e bërë nga përfaqësuesit tanë me në krye Damianin, ishte ezauruese në raport me rekomandimet, ne nuk erdhëm këtu në Parlament për t’ju thënë hajde ta votojmë sepse e konsideruam të rëndësishme të prisnim se do të gjenim konsesus edhe nga pala tjetër. Një shpresë që unë nuk e kam patur asnjëherë, megjithatë preferuam të presim. Vazhdoi puna dhe u vendos një afat tjetër, 31 maj. 31 maji nuk solli rezultat. Më vjen shumë keq që në 2020 politika shqiptare ka akoma nevojë për ambasadorë të huaj që të hyjnë në mes, që të shkojnë e të vijnë, që të bëjnë përkthyesin shqip-shqip. Kjo është një gjë që mjafton për të treguar stadin adoleshent të politikës shqiptare në tërësi dhe të liderëve që nuk kanë kurajon që për gjëra që janë në interes të përbashkët të mos ngrenë telefonin dhe të thonë gjithçka vazhdon si më parë midis nesh, por për këtë duhet të flasim. Një fatkeqësi që tregon shumë. Nuk i kam kërkuar unë ambasadorët. Port ë tjerët e kishin të pamundur të uleshin shqiptarë me shqiptarë, ishin të gatshëm të uleshin me tre palë përkthyes shqip-shqip. Ne e pranuam. Unë u jam mirënjohës ambasadorëve që bëjnë arbitrin duke parë ping-pongun shqiptar, pa top, me dy pallaska si raketa. Mbetet me vlerë fakti që së paku diskutimet bëhen me dëshmitarë.”

Në fjalën e tij, shefi i qeverisë bëri edhe një rezyme të “historisë” së diskutimeve për reformën zgjedhore. Edi Rama nënvizoi se OSBE-ODHIR nuk e mbështet teknologjinë në zgjedhje.  

“Dua të sjell në kujtesën e të gjithëve se qysh pas zgjedhjeve të 2017 jemi angazhuar që të adresojmë me synimin e vënies në jetë në zgjedhjet e 2019 çështjen e elektronikës në zgjedhje. Përsëri nëse ju kujtohet, qysh asokohe, unë kam thënë disa herë se nëse duan seriozisht të përfshinë elektronikën në procesin zgjedhor, kolegët që asokohe kanë qenë në këtë sallë, duhet të angazhoheshin menjëherë sepse bëhet fjalë për një proces jo të lehtë dhe për një sistem të ri që kërkon kohën e vet. Asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë vend, por edhe në të gjitha herët që është pyetur nga ana jonë, ODHIR nuk ka qenë dhe nuk është entuziast për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. OSBE porosit se teknologjia në zgjedhje duhet të futet me faza dhe jo e gjitha përnjëherë. Futja e teknologjisë në një sistem offline, jo të lidhur në rrjet për të mos lejuar hakerime që mund të influencojnë apo shkatërojnë procesin zgjedhor, është e mundur dhe mund të sjellë lehtësira në raport me nevojat që ne kemi. Bëmë të gjithë përpjekjen tonë që të fillonim me zgjedhjet e 2019 me një projekt pilot në dy apo tre zona, ku të mund të shihnim konkretisht rezultatin. Më pas do të vazhdonim shtrirjen e sistemit. Nuk ndodhi. S’kishte si të ndodhte sepse axhenda e opozitës ishte dhe mbetet tjetër. Koha vrapoi. Ne kemi humbur shumë kohë dhe jemi përsëri në momentet e fundit përpara një vendimi të rëndësishëm që duhet të merret në Bruksel për Shqipërinë. Ne mund ta bënim këtë proces në mënyrë të njëanshme, pa pritur asnjë lloj konsensusi nga ata që e braktisën Parlamentin, ne nuk e bëmë këtë dhe më shumë se një herë i shtymë afatet që i kishim vënë vetes në funksion të të bërit gjësë siç duhet.”

Të mërkurën në mbrëmje, ambasadorja Yuri Kim, pas një mbledhjeje për nëntë orë me radhë, e la topin në fushën e kryedemokratit Lulzim Basha për të konkluduar reformën zgjedhore. Sipas saj, mazhoranca socialiste ka bërë lëshime të mjaftueshme.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *