Grupet e të drejtave të njeriut dhe ligjvënësit e vendeve perëndimore po paralajmërojnë se rrjeti i fuqishëm global i oficerëve të policisë, Interpoli, mund të bjerë nën influencën e qeverive autoritare, ndërsa kjo agjenci po zhvillon këtë javë në Stamboll takimin për të zgjedhur drejtuesit e saj të rinj.

 

Përfaqësuesit e vendeve si Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po konkurrojnë për postet kryesore në këtë agjenci me seli në Francë, gjatë asamblesë së saj të përgjithshme që mblidhet në Turqi të martën.

 

Interpoli thotë se refuzon të përdoret për qëllime politike. Kritikët thonë se nëse fitojnë këta kandidatë, në vend që të gjurmojnë dhe të kapin trafikantët e drogës dhe të qenieve njerëzore, të dyshuarit për krime lufte dhe të akuzuarit për ekstremizëm, këto vende do të përdorin shtrirjen globale të Interpolit për të kapur disidentët dhe madje edhe kundërshtarët politikë në vendet e tyre.

Dy kandidatë janë kritikuar në veçanti: Gjeneral Major Ahmed Naser al-Raisi, inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili kandidon për t’u zgjedhur në postin 4-vjeçar të presidentit të Interpolit; si dhe Hu Binchen, zyrtar në Ministrinë kineze të Sigurisë Publike, që pritet të kandidojë për një post në komitetin ekzekutiv të Interpolit.

 

Votimi pritet të zhvillohet të enjten. Presidenti i Interpolit dhe komiteti ekzekutiv përcaktojnë politikat dhe drejtimin e punës. Ata gjithashtu mbikqyrin sekretarin e përgjithshëm, i cili menaxhon operacionet e përditshme dhe shërben si përfaqësuesi publik i Interpolit. Në këtë post është zyrtari gjerman Juergen Stock.

Zoti Al-Raisi është akuzuar për tortura dhe ndaj tij janë paraqitur akuza penale në pesë vende, ndër to edhe në Francë, ku Interpoli ka selinë e tij qendrore, si dhe në Turqi, ku po zhvillohet procesi i zgjedhjeve.

Dhe zoti Hu mbështetet nga qeveria kineze, e cila dyshohet se ka përdorur agjencinë ndërkombëtare të policisë për të kapur disidentët azilantë dhe se ka zhdukur shtetasit e vet.

Emërimi i zotit Hu do të shoqërohej me rreziqe, ndoshta edhe për atë vetë. Meng Hongwei, po nga Kina, ishte zgjedhur president i Interpolit në vitin 2016, dhe u zhduk gjatë një udhëtimi kthimi në Kinë dy vite më vonë. Ai po vuan tashmë një dënim prej 13 vitesh e gjysëm burg për korrupsion, akuza për të cilat bashkëshortja e tij Grace Meng që jeton tani së bashku me fëmijët nën mbrojtjen e policisë në Francë, këmbënguli gjatë një interviste me agjencinë e lajmeve Associated Press se ishin të sajuara dhe të motivuara politikisht.

 

Zoti al-Raisi, i cili është tashmë anëtar i komitetit ekzekutiv të Interpolit, pretendoi nëpërmjet një mesazhi në rrjetin LinkedIn të shtunën se Emiratet e Bashkuara Arabe “e kanë prioritet mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend dhe jashtë tij”.

Por, një raport i fundit i Grupit të Drejtave MENA përshkruan dhunimin në mënyrë të rregullt të të drejtave të njeriut nga aparati i sigurisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, ku juristët, gazetarët dhe aktivistët janë zhdukur me forcë, torturuar, ndaluar në mënyrë arbitrare dhe frikësuar për shkak se kanë kërkuar paqësisht të drejtat dhe liritë e tyre themelore.

 

Matthew Hedges, student britanik i doktoraturës u burgos në Emiratet e Bashkuara Arabe për gati shtatë muaj në vitin 2018 me akuza për spiunazh. Ai arriti të përshkruajë me shumë vështirësi gjatë një konference për shtyp në Paris, torturën dhe muajt e mbajtjes në izolim pa qasje tek ndonjë avokat.

 

“Më jepnin një kokteil ilaçesh… për të ndikuar tek gjendja ime mendore”, tha zoti Hedges. “Edhe tani jam ende i ndërvarur nga shumica e këtyre ilaçeve. Dëgjoja bërtima që vinin nga dhomat e tjera, dhe kishte dëshmi në dysheme të torturës, torturës fizike, rrahjeve”.

Zoti Hedges u fal nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Khalifa bin Zayed Al Nahyan, por zyrtarët e Emirateve ende këmbëngulin se zoti Hedges punonte për agjencinë britanike të zbulimit MI6, pa ofruar prova të qarta për të mbështetur pretendimet e tyre. Ai, familja e tij dhe diplomatët britanikë kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

“Nuk mundet që forcës policore të një vendi që është gati t’i bëjë diçka të tillë shtetasve të huaj, dhe jo më shtetasve të tij, t’i jepet nderi të mbajë një nga pozicionet më të larta në Interpol”, tha zoti Hedges.

“Zgjedhja e al-Raisit, personit përgjegjës për atë çfarë më ndodhi mua, do të ishte një shuplakë për drejtësinë dhe një turp për forcat e tjera policore që besojnë në ruajtjen e shtetit ligjor”, tha ai.

Zoti Hedges, së bashku me britanikun tjetër Ali Issa Ahmad, një tifoz futbolli që thotë se u torturua nga agjentët e sigurisë të Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë kampionatit aziatik të futbollit më 2019, kanë ngritur një padi në Britani ndaj zotit al-Raisi dhe zyrtarëve të tjerë të sigurisë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ata kanë bërë padi penale gjithashtu në Norvegji, Suedi dhe Francë.

 

Një shqetësim kryesor për disidentët është abuzimi i mundshëm me të ashtuquajturit “urdhëra të kuq” të Interpolit, të cilët janë të barazvlefshëm me vendosjen e emrit të dikujt në një lloj liste globale të personave më të kërkuar nga autoritetet, që do të thotë se personi mund të arrestohet kudo që udhëton.

 

Interpoli këmbëngul se të gjitha kërkesat e vendeve për lëshimin e një urdhëri të kuq verifikohen nëse përputhen me parashikimet e dokumentit themeltar të organizatës, “që i ndalon rreptësisht organizatës të bëjë çfarëdolloj ndërhyrjeje apo të ndërmarrë aktivitete të natyrës politike, ushtarake, fetare apo racore”. Megjithatë, kritikët thonë se Interpoli është përdorur në të kaluarën nga qeveritë e vendeve anëtare për qëllime politike dhe se kjo mund të përkeqësohet nën udhëheqjen e re që mund të zgjidhet./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *