Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, njëherësh deputet i PS, Ditmir Bushati i ka cilësuar zgjedhjet në Tuz si një arritje historike.

 

Në një postim në “Facebook”, Bushati shprehet se fitorja e koalicionit shqiptar në Mal të Zi është një burim fuqizimi i faktorit shqiptar në rajon si dhe një kontribut për stabilitetin demokratik dhe përkatësinë euro-atlantike.

 

“Mesazhi që vjen nga Tuzi ku “Forumi Shqiptar-Malësia na Bashkon” arriti një rezultat historik, është padyshim më shpresëdhënësi për shqiptarët në rajon, pas formësimit të platformës së bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në fillimin e vitit 2017. Ky hap i madh përpara, është tregues i pjekurisë politike të udhëheqjes së partive shqiptare në Malin e Zi dhe në të njëjtën kohë burim frymëzimi për fuqizimin e mëtejshëm të kohezionit të faktorit shqiptar në rajon, si kontribut për stabilitetin demokratik dhe përkatësinë euro-atlantike. Angazhimi i diasporës për fitoren e korrur në Tuz përbën një shembull të vërtetë të manifestimit të vetëdijes kombëtare, larg paradave e përbetimeve pa përmbajtje. Tuzi na tregoi qartë gjithashtu nevojën për të ndarë politikën e ditës nga prioritetet kombëtare. Tashmë para shqiptarëve shtrohet një sfidë edhe më e madhe në horizont. Ajo e drejtimit, zhvillimit dhe modernizimit të Tuzit përmes bashkëpunimit dhe bashkëjetesës shembullore me malazezët dhe të gjithë grupimet e tjera etnike.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *