Të dielën, më 12 tetor, qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët dhe asamblistët komunalë në 38 komunat e vendit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e drejta për të votuar u takon 2,025,105 qytetarëve brenda territorit të Kosovës, ndërsa 43,993 qytetarë janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.
Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00. KQZ ka konfirmuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë, me përjashtim të disa vendvotimeve ku mund të ketë pasur vonesa të vogla.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë dhe se institucionet përkatëse janë angazhuar për mbarëvajtjen e procesit, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Mediave.
Në konferencën e parë për media gjatë ditës, Elezi theksoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur problemet teknike në publikimin e rezultateve preliminare dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje.
/vizionplus.tv





