Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi në fjalimin e tij të mbrëmjes që të gjitha burimet ruse të sekuestruara nga Perëndimi të vihen në dispozicion të qeverisë së tij, pothuajse dy vjet pas pushtimit të forcave të armatosura ruse në territorin ukrainas.

“Është koha për t’i dhënë Rusisë dëmin maksimal sistematik veçanërisht në lidhje me burimet ruse, si të shtetit terrorist ashtu edhe atyre të lidhur me të. Gjithçka duhet të merret dhe të përdoret për mbrojtje kundër terrorit. Është e drejtë të shkatërrohen terroristët. Është e drejtë që shteti terrorist të paguajë për veprimet e tij”, tha ai.

Ai shtoi se kishte diskutuar çështjen me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili vizitoi Kievin të mërkurën.

“Ne kemi nevojë për një vendim të bashkuar dhe të fortë. Një vendim që do të dëshmojë se ne së bashku respektojmë ligjin ndërkombëtar dhe absolutisht përçmojmë shtetin terrorist”, tha Zelensky.

Bashkimi Evropian po harton plane për t’i vënë në dispozicion në parim Kievit shumat që kanë dalë nga asetet e ngrira të bankës qendrore ruse të kursyera jashtë vendit – veçanërisht interesat – si hap i parë në këtë drejtim. Shuma vlerësohet të arrijë në miliarda dollarë në vit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *