Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se beson që raportet me Shtëpinë e Bardhë mund të shpëtohen pavarësisht përplasjes së ashpër publike me presidentin Donald Trump, që pengoi bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Unë jam shumë mirënjohës ndaj amerikanëve për të gjithë mbështetjen. Na ndihmuat shumë që në fillim… na ndihmuat të mbijetojmë. Unë e respektoj presidentin dhe popullin amerikan. Thjesht dua të jem i sinqertë dhe dua që partnerët tanë ta kuptojnë saktë situatën. Kjo ka të bëjë me ne, për të mos humbur miqësinë tonë,” tha Zelensky.
Lexo edhe :
Sakaq, Zelensky, gjatë intervistës për Fox News, deklaroi se nuk ndiente se kishte diçka për të cilën do të duhej të kërkonte falje sa i përket takimit.
Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, duke folur me gazetarët pas takimit, tha se biseda mes tyre “nuk funksionoi mirë”. Ai theksoi se Zelensky do të tregonte forcë nëse do të pranonte marrëveshjen e propozuar nga SHBA për mineralet.
“Ai po kërkon të vazhdojë dhe të luftojë, të luftojë, të luftojë, ndërsa ne po kërkojmë t’i japim fund luftës,” u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë po vëzhgohej nga afër për të parë nëse SHBA-ja do të sinjalizonte ndonjë garanci sigurie për Kievin kundër agresionit rus si pjesë e ndonjë marrëveshjeje armëpushimi apo paqeje. Por mesa duket asgjë nuk ndodhi, ndërsa pritet të shihet se si do të ndikojë kjo përplasje në të ardhmen.






