Përpara zhvillimit të samitit të NATO-s që do të mbahet në korrik në Lituani, Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se Ukraina ka nevojë për garanci efektive për sigurinë.

 

Në fjalimin e tij lideri ukrainas ritheksoi gjithashtu dëshirën e Kievit për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur.

 

“Garanci efektive për sigurinë e Ukrainës  janë të nevojshme edhe para se të bashkohemi me aleancën e NATO-s”, tha Zelenski pa dhënë detaje të mëtejshme.

 

Zelenski dëshiron pranim të përshpejtuar në NATO

 

Ukraina ka kërkuar prej vitesh t’i bashkohet aleancës ushtarake të NATO-s, por në shkurt, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës së NATO-s, duke shtuar në të njëjtën kohë, se kjo do të ndodhë në një perspektivë afatgjatë, shkruan DW.

 

Një nga parakushtet për anëtarësimin në NATO është që vendi kandidat të mos jetë i përfshirë në konflikte ndërkombëtare dhe të mos ketë mosmarrëveshje kufitare.

 

Ky kusht përbën një sfidë për Ukrainën, sepse ajo vazhdon të përballet me agresionin rus.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *