Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zanieri, pas përfundimit të vizitës së tij në Shkup, shprehu dje shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në vend duke iu bërë thirrje liderëve politikë t’i jepnin fund krizës politike dhe kjo për interesin e të gjithë qytetarëve.

 

“Tejkalimi  i ngërçit politik dhe kthimi i stabilitetit politik duhet të jetë prioriteti kryesor. Çelësi për zgjidhje është në duart e aktorëve politikë të cilët duhet t’i përgjigjen sfidës dhe të zgjidhin krizën politike në dobi të të gjithë qytetarve”, tha Zanieri.

 

”Rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor të vitit 2016 sigurojnë bazë të qendrueshme për formimin e qeverisë”, theksoi ai.

 

Zanieri dënoi incidentet e kohëve të fundit, që mund të çojnë drejt përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe theksoi se Marrëveshja e Ohrit është me rëndësi të madhe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve.

 

Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, Zanieri u takua me presidentin Gjorge Ivanov, ministrin e Punëve të Jashtme Nikola Poposki, liderët e partive politike, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Lëvizja BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, si dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *