Yield-et e Bonove të Thesarit në tregun primar u stabilizuan disi këtë javë, pas një tendence pothuajse dymujore në rritje.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 2.22%, me një rritje më të lehtë nga niveli 2.19% i ankandit të mëparshëm. Megjithëse yield-et janë pranë niveleve më të larta të dy viteve të fundit, rritja ka qenë më e lehtë krahasuar me ankandet e mëparshme.

 

Kërcimi më i ndjeshëm në yield-et e Bonove 12-mujore u ndie në ankandin e fundit të muajit mars, i pari pas rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Yield-i mesatar u rrit në 2.19%, nga 1.79% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Ankandi i kësaj jave dha sinjale stabilizimi, por sërish kërkesa e tregut për Bono rezultoi pak më e ulët se shuma e shpallur për shitje nga Ministria e Financave.

 

Përkundrejt 9.7 miliardë Lekë Bono të nxjerra në shitje, kërkesa totale në ankand arriti në 9.57 miliardë Lekë. Megjithatë, edhe hendeku mes kërkesës dhe ofertës është ngushtuar ndjeshëm në raport me anakndet e mëparshëm. Ekspertët e tregut shpjegojnë se ulja e kërkesës së investitorëve në ankand gjatë muajit mars dhe pjesës së parë të prillit ka qenë kryesisht e lidhur me pritshmërinë për rritje të normave të interesit.

 

Për këtë arsye, shumë prej investitorëve dhe sidomos bankat kanë preferuar të ruajnë likuiditete, në pritje të normave më të larta. Një tendencë e tillë u vërejt qartë në ankandet e Bonove dhe Obligacioneve në Lekë, por edhe të Obligacioneve dyvjeçare në Euro. Megjithatë, ekspertët mendojnë se mbajtja e likuiditeteve të papërdorura për periudha të gjata është e vështirë, sidomos në rastin e bankave, ndaj është e pritshme që kërkesa për Bono dhe Obligacione të kthehet gradualisht në rritje. Ankandi i kësaj jave e konfirmoi pjesërisht një pritshmëri të tillë.

 

Javën e kaluar në tregun financiar qarkulluan zëra se Ministria e Financave po konsideron mundësinë e emetimit të një Eurobondi të ri, kryesisht për shkak të vështirësive për të plotësuar shumat e kërkuara në tregun e brendshëm. Një skenar i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Financave. Megjithatë, ekspertët shprehen skeptikë lidhur me mundësinë e një daljeje të shpejtë në tregjet e huaja financiare për një Eurobond të ri.

 

Sipas tyre, Eurobondi prej 650 milionë Eurosh i nëntorit 2021 do të shërbejë për të mbuluar pjesërisht deficitin e parashikuar për 2022, ndërkohë që deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti buxheti paraqitet në suficit të zgjeruar, kryesisht për shkak të efektit të rritjes së çmimeve të importit në të ardhurat prej tatimeve indirekte. Momenti për të dalë në tregjet financiare gjithashtu nuk është shumë i favorshëm, sepse normat e interesit janë rritur dhe pritshmëritë ngelen në kahun e një rritjeje të mëtejshme, për shkak të inflacionit të lartë. Bazuar në këtë tablo, ekspertët presin një stabilizim të tregut të brendshëm të titujve qeveritarë në vijim dhe nuk parashikojnë domosdoshmërinë për dalje të shpejtë në tregjet e huaja financiare.

 

Rritja e normave të interesit zakonisht reflektohet më shpejt në tregun e letrave të borxhit të qeverisë. Ky mund të jetë një stimul i mëtejshëm që bankat të rrisin investimin në këto instrumente, duke ndërmarrë një qasje më të kujdesshme në kreditimin e sektorit privat, edhe për shkak të rreziqeve më të larta që shtron rritja e inflacionit./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *