I jepet sot lamtumira Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare e cila u vra në Itali nga ish i dashuri i saj filipinez.
Varrimi do bëhet në orën 14:00 në Terni, ku e reja u rrit dhe jetoi derisa u shpërngul në Romë për të studiuar në Universitetin Sapienza.
Trupi i pajetë i Ilarias mbërriti në shtëpinë e saj ku iu dha lamtumira mes lotësh nga familjarët dhe të afërmit.
Jashtë banesës, qindra persona janë mbledhur dhe kanë lënë lule dhe pankarta kundër dhunës.
“Ilaria në zemrat tonë përgjithmonë”, thuhet në një prej pankartave të vendosura jashtë shtëpisë.
E reja shqiptare u denoncua e zhdukur nga familja më 25 mars, ndërsa disa ditë më vonë, trupi i saj i pajetë u gjet i hedhur në një zonë të pyllëzuar brenda një valixheje.
Autor i dyshuar i ngjarjes është ish i dashuri i saj, 23-vjeçari Mark Samson i cili është arrestuar.
Ai ka pranuar krimin dhe ka rrëfyer se ka vepruar i vetëm.
Sipas dëshmisë, krimi i rëndë ka ndodhur në mëngjesin e 26 marsit dhe ishte i pa menduar.
Samson tha se teksa po i çonte mëngjesin Ilarias, e cila e kaloi natën në shtëpinë e tij, i pa në telefon një mesazh nga një djalë. I shtyrë nga xhelozia mori thikën dhe e goditi tre herë në fyt duke e sulmuar nga mbrapa.
Më pas e futi trupin në një valixhe dhe e fshehu në një zonë të pyllëzuar.
Në momentin e krimit në shtëpi kanë qenë edhe prindërit e 23-vjeçarit, roli i të cilëve po hetohet ende nga policia./vizionplus.tv





