Subscribe

Monika Kryemadhi, në një takim më gratë në Kamëz, ka folur për objektivat e LSI-së, si dhe nuk ka hezituar të sulmojë edhe kryeministrin, të cilin e fajëson për menaxhimin e situatës ku ndodhet sot vendi.

Ajo komentoi edhe vendimin e KQZ-së për të shtyrë afatet e kartave të identitetit deri në fund të muajit prill, ku e cilësoi një avantazh të madh. Sipas saj, ky vendim krijon lehtësi për të gjithë qytetarët.

“Kjo është java e katërt dhe në fakt do vijnë duke u zvogëluar ditët që nga dita e zgjedhjeve. Tanimë nuk ka më numërim, por i llogarisim me të diela, por më i rëndësishëm këto kohë është kontakti me njerëzit, bashkëbisedimi me ta dhe përgatitja e qytetarëve për të vajtur drejt kutive të votimit më 25 prill. Një avantazh i madh është sepse sot njerëzit në kushtet e varfërisë dhe të pamundësisë e kanë pasur të pamundur pajisjen me kartën e identitetit, kështu që vendimi i fundit i KQZ-së për të shtyrë afatin e kartave të identitetit deri në fund të muajit prill ishte një avantazh shumë i madh, sepse krijon një lehtësi, edhe psikologjike, për të gjithë qytetarët. Pra, tanimë nuk është e nevojshme që njerëzit të ngelen peng në zyrat e gjendjes civile apo të njësive administrative dhe të selektoheshin se kush ishte e kush jo përkrahës i rilindjes për të marrë kartën e identitetit. Dhe ky ishte një lloj presioni dhe një lloj intimidimi që u bëhej qytetarëve.”

Kryemadhi vuri në dukje shqetësimet e qytetarëve.

“Ata ndiejnë që çdo ditë e më shumë i kanë taksat më të larta, shpenzimet e tyre në familje rriten çdo ditë e më shumë, mundësitë për të krijuar hapësira të reja biznesi janë të limituara. Për të mos vijuar më pas me faktin që me mijëra biznese janë mbyllur në Tiranë e shumë të tjera kanë mbyllu shumë vende pune për shkak të pandemisë dhe të keq menaxhimit të situatës së shkaktuar prej saj. Në fakt dëgjojmë rëndom se si artikulohet dhe thuhet që Shqipëria po buzëqesh, por e vetmja buzëqeshje që ne shohim është ngërdheshja e Kryeministrit tonë në maskën në fytyrë, sepse edhe vetë ai nuk është i lumtur dhe i gëzuar për shkak të situatës që e ka krijuar ai vetë. Një kryeministër i cili ka qenë i paaftë për të menaxhuar një Shqipëri në normalitet dhe e futi në krizë atë dhe sot normalisht që do të jetë totalisht i paaftë për të përballuar dhe menaxhuar një situatë të tillë prej pandemisë por edhe pas tërmetit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *