Ministrat e jashtëm të G7 mblidhen sot në Kanada. Ky takim vjen pas javësh tensione në rritje midis aleatëve të SHBA-së dhe presidentit Donald Trump lidhur me ndryshimin e politikës së jashtme ndaj Ukrainës dhe vendosjen e tarifave.
Ndërkohë presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka paralajmëruar BE-në për të tjera tarifa si kundërpërgjigje.
“Bashkimi Evropian, një nga autoritetet më armiqësore dhe abuzive të taksave dhe tarifave në botë, i cili u krijua me qëllimin e vetëm për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara, sapo ka vendosur një tarifë të keqe prej 50% për Ëhisky. Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA-ja së shpejti do të vendosë një tarifë 200% për të gjitha verërat, shampanjë dhe produktet alkoolike që vijnë nga Franca dhe vendet e tjera të Be-së. Kjo do të jetë e mrekullueshme për bizneset e verës dhe shampanjës në SHBA”, tha Trump.
Grupi i përbërë nga Britania, Kanadaja , Franca, Gjermania, Italia, Japonia së bashku me BE-në do të takohen për dy ditë me radhë.
Sakaq në këtë takim do të ballafaqohen sekretari i shtetit Marco Rubio me homologen e tij kanadeze, por diskutimet për kërcënimet amerikane për aneksim nuk priten të jenë pjesë e bisedimeve.
Në krye të agjendës për partnerët e Uashingtonit do të jetë informimi mbi bisedimet e sekretarit të Shtetit Marco Rubio, të martën me Kievin në Arabinë Saudite, ku Ukraina është shprehur e gatshme të mbështeste një marrëveshje armëpushimi 30-ditor.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se G7-ta duhet të përqendrohet në atë që “të sigurohet se Ukraina është në pozicionin më të fuqishëm për të arritur një paqe të drejtë dhe afatgjatë”.
Ndërsa Kryediplomatja kanadeze, Melanie Joly u shpreh se ajo pret që bisedimet me Rubion të përqendrohen “tek Ukraina dhe armëpushimi që është prezantuar”.
/vizionplus.tv





