Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu këtë të martë është takuar me Ministrin për Migracion të Holandës, Mark Harbers.

 

Në këtë takim është folur në lidhje me forcimin e bashkëpunimit për parandalimin e flukseve migratore, si dhe intensifikimi i goditjeve të grupeve kriminale të krimit të organizuar dhe atyre të kontrabandimit të qenieve njerëzore.

 

Nga ana tjetër Harbers vlerësoi bashkëpunimin mes dy policive, punën e bërë nga Policia e Shtetit shqiptar për parandalimin e azil kërkimit, si dhe për goditjen e kontrabandimit të qenieve njerëzore. Ai theksoi se është e nevojshme që ky bashkëpunim të thellohet më tej, duke gjetur rrugë sa më efikase për rezultate akoma më pozitive.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit njohu z. Harbers dhe delegacionin me masat që ka marrë Policia e Shtetit në drejtim të parandalimit të azil kërkimit, me operacionet e zhvilluara në bashkëpunim edhe me partnerët për goditjen e grupeve apo personave që kontrabandojnë qenie njerëzore, si dhe operacionet në drejtim të goditjes së grupeve kriminale të krimit të organizuar.

 

Gjatë takimit u dakordësua se nevojitet një shkëmbim informacioni në kohë reale jo vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit apo ndërmjet oficerëve të kontaktit, por edhe në mënyrë direkte duke krijuar grupe hetimore te përbashkëta për të arritur qëllimin final të goditjes së grupeve apo individëve të përfshirë në aktivitet kriminal.

 

Gjithashtu gjatë takimit u hodh idea që  të ngrihet një Task Forcë që ka si qëllim hetimin e grupeve kriminale,  identifikimin dhe goditjen e individëve që merren me kontrabandimin e qënieve njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *