Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka publikuar sot një dokument, sipas të cilit në Spitalin e Beratit iu kërkohet mjekëve të mos japin rekomandime për analiza për pacientët që rekomandohen nga mjeku i familjes, shkojnë për vizitë tek mjeku specialist, apo në urgjencë.

 

Sipas urdhrit të publikuar nga Vasili, mjekëve iu kërkohet t’i shtyjnë analizat për në prill. Ndèrkohë Vasili theksoi se prokuroria ka lidhur duart.

DEKLARATA E PLOTË

 

Ky është dokument zyrtar me firmë dhe vulë.
I drejtohet mjekëve të familjes dhe poliklinikave si dhe spitaleve ku u kërkohet të pezullojnë analizat për pacientët për pjesën e mbetur të muajit mars.

Mjekëve të urgjencës u kërkohet që të triazhojnë pacientët dhe të dërgojnë për analiza vetëm pacientët në gjendje të rëndë!

Për pacientët e shtruar në spital urdhri kërkon që “të kufizohen ekzaminimet laboratorike të panevojshme”!

Këto urdhra janë kriminale pasi i privojnë pacientët nga një ndërhyrje që mund të bëjë diferencën midis jetës dhe vdekjes, tregojnë qartë se sistemi shëndetësor ka falimentuar!

 

Vetëm këta prej 9 vjetësh sistemin shëndetësor mund t’u kërkojnë mjekëve të shmangin ekzaminimet e panevojshme! Çfarë do të thotë “ekzaminim i panevojshëm”??!! Protokollet e trajtimit mjekësor nuk flasin kurrë për ekzaminime të panevojshme sepse të tilla koncepte të çmendura ekzistojnë vetëm në mendjen e rilindjes.
A ka kontroll për mënyrën se si shpenzohen burimet financiare të cilat edhe në sistemet më të pasura shëndetësore trajtohen me vëmendje maksimale?!

Kur mjekët dhe specialistët e menaxhimit shëndetësor flisnin për rrezikun që vinte nga PPP-ja e laboratorëve, askush nuk e mendoi se situata do të arrinte deri në këtë pikë!

 

Edhe OBSH u shpreh qartë në atë kohe se laboratorët nuk duhet të jepeshin me koncesion.
Mjekët ligjërisht nuk mund dhe nuk duhet ta zbatojnë këtë urdhër sepse ky i vë përpara përgjegjësisë ligjore ata vete për mjekim të pakujdesshëm me pasoja jetën dhe shëndetin e pacienteve.

Ndërkohë pacientët të cilëve së shpejti do t’u vijë një mesazh për t’i njoftuar se ekzaminimet e planifikuara për muajin mars do të shtyhen për në muajin prill.

 

Kjo qeveri që ka para’ të paguaje inceneratorët dhe Klodian Zoton dhe Stela Gugallen, të paguajë koncesione e tendera sekrete me 10-fishin e çmimit nuk paska lekë për analizat e shqiptarëve.

Këtu e katandisi shëndetësinë Edi Rama duke shënuar fundin e duke mos siguruar as minimumin analizat mjekësore. Prokuroria për turpin e saj ka lidhur duart dhe sheh krimin në mes të ditës dhe nuk reagon. Çfarë drejtësie e re është kjo që edhe përpara skandaleve kaq të rënda nuk reagon.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *