Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili deklaroi se vendi po shkon drejt një krize të thellë ekonomike.

Sipas tij, afro 33 mijë biznese u mbyllën vetëm gjatë korrikut për shkak të problemeve dhe pamundësisë gjatë pandemisë.

Përmes një deklarate për mediat, numri dy i LSI u shpreh se nga ana tjetër, as një “gjemb nën këmbë” nuk u ka hyrë oligarkëve.

“Praktikisht shifrat zyrtare flasin për 32.4 mijë biznese të mbyllura deri në muajin korrik. Pra 32 400 biznese. 98% e bizneseve, pra thuajse shumica absolute e të cilave janë biznese të vogla e ku për pasojë rreth 60 mijë shqiptar kanë humbur punën duke shkaktuar njëherazi humbjen gati 10-12% të fuqisë punëtore vetëm në sektorët privat pa pasur këtu në konsideratë sektorin bujqësor, i cili ka përjetuar një krizë tjetër më vete. Asgjë nuk ka ndodhur me oligarkët, me ata që janë klientë të qeverisë, kanë vazhduar të marrin tendera, koncesione pa fund, tendera sekret, procedura, prokurime të cilat u dhurojnë para pa fund dhe atyre nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, kanë bërë pushimet  e tyre luksoze si gjithmonë.”

Vasili bëri një krahasim mes verës së oligarkëve dhe atë që kaluan qytetarët e thjeshtë. Sipas tij, shumë qytetarë e patën të pamundur të pushojnë qoftë edhe një fundjavë. 

Ai shtoi se edhe këtë shtator shumë familje janë në pamundësi ekonomike t’u blejnë fëmijëve sendet e shkollës.

“Mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë nuk kanë mundur që të bëjnë qoftë dhe një ditë të vetme pushim dhe janë pjekur në ditët e nxehta të kësaj vere shumë të nxehtë, duke e pasur qoftë edhe një ditë apo një fundjavë pushim thjesht dhe vetëm një ëndërr të parealizueshme. Është fare e qartë që ekonomia është drejt kolapsit dhe kriza sociale është më e rënda që mund të jetë instaluar ndonjëherë në Shqipëri. Të gjithë e kuptojnë, ne jemi në shtator, mijëra familje nuk do kenë mundësi të blejnë gjërat më të domosdoshme për fëmijët e tyre për ti çuar në shkollë, pasi shkolla po troket, mijëra familje tani kanë prej muajsh por ndërkohë situata përkeqësohet dhe më tej, kanë probleme me  ushqimin dhe sigurimin e ushqimit të përditshëm.”

Petrit Vasili tha se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veçse të përmbyset qeveria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *