Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, nga Asambleja e Forumit të gruas Socialiste të Tiranës u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të Astirit që preken nga ndërtimi i Unazës së Re që mos të bëjnë hesapet e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

 

Veliaj ndër të tjera në fjalën e tij deklaroi se këtë të hënë disa prej familjeve të Unazës u strehuan në banesa sociale.

 

 “Falë zonjave dhe zonjushave të të gjitha dikastereve, protesta ndoshta më e dhunshme, më vulgare, me parti politike që shtyjnë vetëm sherr, mllef, kapsolla, sot u arrit që të bëhej një progres që nuk ishte bërë në kaq ditë. Nga 50 familje që kishin aplikuar në ARRSH sot u administruan 70 dosje. Gratë dhe zonjat e këtij qyteti zgjidhën në 3 orë 1/3 e problematikës më të madhe. E njëjta gjë për skuadrën e Bashkisë, nga 59 dosje të atyre që s’kanë asnjë letër sot, kopsitën dosjet e tyre 23 familje, thuajse gjysma. Në 3 orë gratë e këtij qyteti i dhanë dum dhe çuan përpara për zgjidhje një nga problematikat dhe dramat më banale që mund të kemi parë në kohët e fundit”.

 

Gjithashtu ai u ka bërë apel banorëve të zonës së Unazës së Madhe që të mos bien pre dhe të përdoren politikisht nga opozita, duke nënvizuar se banorët e Astirit që preken nga ndërtimi i Unazës së Re nuk duhet të bëjnë hesapet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

 

“Ju falenderoj me gjithë zemër, nënat, amvisat, gratë, zonjat e shtëpisë në të gjithë zonën e Astirit dhe Unazës së Re se arritën të kuptonin që fëmijët e tyre nuk mund të jenë mish për top për parti, krerët e të cilave i kanë rregulluar punët e tyre, një shtëpi në Tiranë, një shtëpi në Laknas, një shtëpi në Holandë. Ata i kanë rregulluar punët e tyre. Thirrja ime për banorët është: mos bëni hesapet e Lulit, ai i ka rregulluar punët e veta, bëni hesapet tuaja, t’u dalë mirë llogaria juve; nëse u takon prona, të merrni paratë, nëse keni nevojë për asistencë, të merrni një shtëpi, nëse doni qira, u japim qira, por vetëm bëni llogarinë e fëmijëve dhe të familjeve tuaja, jo të politikanëve që i kanë rregulluar punët e tyre”, tha ai, teksa listoi edhe një sërë programesh të ndryshme sociale që Bashkia e Tiranës ua ofron të gjithë banorëve të cilët preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. “Për atë që ka pronë, të paguhet çfarë i takon, për atë që s’ka asnjë letër, të marrë ndihmë sociale, për atë që ndoshta nuk e do ndihmën sociale, do të marrë një bonus qiraje”.

 

Kryebashkiaku Veliaj gjithashtu ka thënë se PD dhe Basha nuk ofrojnë besim tek qytetarët, pasi sikundër edhe në shumë raste të mëparshme, ai i ka lënë ata në baltë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *