Kreu i KPP, Jonaid Myzyri, i pezulluar nga detyra është paraqitur në Apelin e GJKKO-së ditën e sotme, ku ka ankimuar vendimin e shkallës së parë që la në fuqi masat e sigurisë për të, “detyrim paraqitje” dhe “pezullim nga detyra”.
Më 24 qershor, Myzyri u mor i pandehur nga SPAK për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Mësohet se kreu i KPP po hetohet për disa tendera të zhvilluara gjatë viteve 2019 deri në 2021.
Sipas SPAK, Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar gjatë një procedure prokurimi një bashkim operatorësh, që kanë depozituar dokumente të falsifikuara.
Jonaid Myzyri e mori detyrën në vitin 2020. Komisioni i Prokurimeve Publike përbëhet nga 5 anëtare, nga të cilët një kryetar dhe një tjetër nënkryetar. Kryetari dhe anëtarët e KPP emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë./vizionplus.tv





