Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në Vlorë, ku pronari i Hotel Regina, ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës dhe kanë ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme.
Gjatë kontrolleve, në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit dhe është aksidentuar. Në automjet ndodheshin tre persona, dy prej të cilëve kanë mbetur të dëmtuar, ndërsa i treti nuk ka pasur probleme shëndetësore.
View this post on Instagram
Gjatë kontrollit të automjetit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë. Ndërkohë, sipas informacioneve paraprake, ngjarja në resort dyshohet se ka nisur pas një konflikti me persona të armatosur, ndërsa rrethanat dhe motivet e saj mbeten ende për t’u sqaruar.
Policia e Vlorës, në bashkëpunim me shërbimet e disa drejtorive të tjera vendore, ka vijuar kontrollet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. Autoritetet bëjnë me dije se, për shkak se veprimet janë ende në zhvillim, një njoftim i plotë do të publikohet pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
/vizionplus.tv





