Tym gjigant mbi Elbasan, shqetësohen banorët

Shtëllunga gjigante tymi kanë pushtuar në orët e pasdites së vonë periferinë e Elbasanit, duke krijuar një situatë shqetësuese për mjedisin dhe cilësinë e ajrit në këtë zonë.
Pas orës 17:00, sasi të mëdha tymi janë ngritur në lartësi të konsiderueshme, duke u përhapur në një hapësirë të gjerë dhe duke mbuluar pjesë të periferisë së qytetit. Pamjet e krijuara kanë ngritur shqetësimin e banorëve, veçanërisht në zonën e Bradasheshit, ku raportohet për një aromë të rëndë dhe mbytëse.
Intensiteti i tymit dhe përhapja e tij në atmosferë kanë shtuar shqetësimet për përmasat e ndotjes dhe pasojat e mundshme për shëndetin e banorëve dhe mjedisin.
Sipas shqetësimeve të ngritura nga banorët e zonës, një prej dyshimeve është se tymi mund të jetë shkaktuar nga djegia e gomave të përdorura ose e materialeve të tjera që çlirojnë ndotës në atmosferë.
Një fenomen ky i përsëritur për zonën.
Megjithatë, deri në momentin e raportimit, ky dyshim nuk është konfirmuar nga autoritetet dhe shkaku i saktë i tymit mbetet i paqartë.
Po kështu, nuk ka ende informacion të konfirmuar për vendndodhjen e saktë të vatrës së zjarrit, materialet që po digjen apo përmasat e situatës.
Pritet që strukturat përgjegjëse për mbrojtjen nga zjarri, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik të verifikojnë situatën në terren, të identifikojnë shkakun e saj dhe të informojnë qytetarët për masat që duhen marrë.




