Tryeza opozitare, Alibeaj: Po kërkon ndryshimin nga njeriu që propozoi ndryshimet në 2008-ën? Hasimja: Ja dy kërkesat kryesore që kemi

Tryeza e opozitës, e organizuar nga politologu Ermal Hasimja, shkaktoi debat këtë të martë në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha se nuk mund të bësh një tryezë për ndryshimin e reformës zgjedhore nga një njeri që i ka propozuar këto ndryshime në 2008-ën, duke iu referuar Sali Berishës.
Pjesë nga diskutimi:
Alibeaj: Ti fton në tryezë njerëzit dhe u thua “heqim Ramën e vjen Berisha”. Kjo nuk shkon.
Hasimja: Dy kërkesa kryesore ka: reforma zgjedhore, në mënyrë që vota të jetë e barabartë, dhe çështja e drejtësisë, mbështetja e një drejtësie funksionale. Çfarë ka ndodhur? Ne nuk jemi të parët që e bëjmë këtë gjë. Një muaj më parë isha në tryezën e zotit Shehaj për mbledhjen e firmave për mbështetjen e drejtësisë. Çfarë prodhoi kjo tryezë? Asgjë. Nga ana tjetër ke një njeri që në mënyrë ligjore do të çarmatosë drejtësinë. Çfarë po bëjmë ne? E vetmja mënyrë për të ndaluar atë njeri është vota, jo tryeza.
Alibeaj: Shumë e drejtë kjo që thoni ju. Por nëse i drejtohesh aktorit kryesor të propozimit të këtij sistemi, aktori kryesor që ka bërë propozimin e këtij sistemi është Sali Berisha.
Hasimja: Kjo do të thotë se ka gabuar njëherë dhe s’ka të drejtë të ndryshojë gabimin?
Alibeaj: Ti mendon se ndryshon, unë them që nuk ndryshon. Do të besoja se do të ndryshonte nëse ndërmerrte një akt që s’do ta bënte prapë nesër.




