Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, komentoi tryezën e partive opozitare.
Ai tha se është totalisht kundër tryezave artificiale, aq më tepër kur ka bashkim me “gjysmën e së keqes”, siç është Sali Berisha.
Sipas Alibeajt, shqiptarët sot duan me patjetër rrëzimin e binomit Rama-Berisha.
“Edi Rama sot ka 9 mandate më shumë, ja dha Sali Berisha. Për çfarë për të marrë vulën? Kush është pazarxhiu këtu? Nuk jam unë për historinë e bashkëpunimeve artificiale. Nuk dua të dekurajoj asnjërën nga lëvizjet, por nuk besoj te bashkimet artificiale pa vlera morale. Madje, nuk besoj tek bashkimet që kanë si pjesë kryesore ‘gjysmën e keqe’ të sistemit, që është Sali Berisha sot.
Sot shqiptarët kanë nevojë jo vetëm për të rrëzuar Edi Ramën, por edhe për një model qeverisjeje që nuk jetësojë të njëjtat gabime – modeli i Ramës sot dhe ai i Berishës në opozitë. Unë jam vetëm, paria është e imja; mundësisht po të më jepet mundësia të abuzoj me pushtetin nesër, kjo nuk do të ndodhë.
Ndaj edhe këta zotërinj morën atë vlerësim në 11 maj. Nëse ka vërtetë ulje të mbështetjes që morën në 11 maj nga sondazhet, unë mendoj se vjen për faktin që kanë treguar jo konsistencë dhe koherencë në mendim. Vërtetë mund të ketë rënë mbështetja për njërin apo tjetrin, por është rritur numri i njerëzve që mbështesin një subjekt që ende nuk ka dalë. Pra, shqiptarët për largimin e binomit Rama-Berisha janë të etur”, tha Alibeaj.





