Autoritetet kineze kanë reaguar pas vendimit të presidentit Donald Trump për të pezulluar fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Sipas Kinës, ky vendim do të dobësojë përpjekjen globale për të luftuar pandeminë e koronavirusit dhe do të dëmtojë të gjitha vendet e botës, përfshirë këtu edhe vetë SHBA.

“Aktualisht, situata globale e pandemisë është e rëndë dhe është në një moment kritik. Masa e Trump do të dobësojë aftësitë e OBSH për menaxhimin e situatës dhe do të minojë bashkëpunimin global në luftimin e pandemisë. Ky vendi do të prekë të gjitha vendet e botës, madje edhe vetë SHBA. Ne i bëjmë thirrje SHBA të përmbushë përgjegjësitë dhe detyrimet e veta dhe të mbështesë OBSH për të udhëhequr luftën ndërkombëtare kundër pandemisë”, tha zëdhënsi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian.

Lijian gjithashtu vlerësoi trajtimin që Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë për pandeminë.

Sipas Trump, SHBA kontribuon me 400-500 milionë dollarë për OBSH çdo vit, ndërsa Kina afërsisht 40 milionë dollarë.

“Sikur OBSH të kishte bërë punën e saj për të futur ekspertë mjekësorë në Kinë për të vlerësuar në mënyrë objektive situatën në terren dhe për të treguar mungesën e transparencës së Kinës, shpërthimi i virusit mund të ishte frenuar dhe do të kishte më pak vdekje”, tha Donald Trump, teksa njoftoi vendimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *