Tre persona humbën jetën pasditën e djeshme në një nga minierat e kromit që ndodhet në zonën e Selishtës në Dibër.
Inxhinieri dhe dy punëtorët ishin futur në galeri por nuk kanë dalë më prej aty. Kjo ka shqetësuar familjarët të cilët kanë njoftuar policinë pasi inxhinieri Ismail Hoxha nuk përgjigjej në celularë.
Drejt galerisë që ndodhet në malin e “Balgjajt” u nisën banorët dhe familjarët. Për shkak të terrenit të vështirë grupi i AKSEM (Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera), është dashur shumë orë të shkojë atje.
Policia e Dibrës njoftoi se rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm janë gjetur trupat e pajetë të inxhinierit Ismail Hoxha 64 vjeç nga Peshkopia, punëtorët Fatos Çesku 55 vjeç, e Rexhep Rushitit 33 vjeç të dy nga Bulqiza.
Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje, ndërsa dyshohet të jenë asfiksuar nga gazrat e nëntokës.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të hedhur më shumë dritë mbi këtë tragjedi.





