Të miturit në protestë, Rama: Para se të dënojmë fëmijët, duhet të neutralizojmë burimin ku ata frymëzohen për dhunë

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, komentoi ngjarjet e fundit në Shqipëri, lidhur me pjesëmarrjen e të miturve në protestat e dhunshme.
Rama tha se sot jemi përballë një fakti, ku një numër të miturish janë përdorur dhe keqpërdorur në protesta.
Sipas kryeministrit, para se të dënohen të miturit, duhet neutralizuar burimi ku ata frymëzohen për dhunë.
“ Kjo tryezë na jep mundësinë të krijojmë një qasje që duhet t’i përshtatet mësimeve të këtij momenti. Ju falënderoj që jeni këtu të pranishëm të gjithë ju që vini nga institucione të pavarura apo nga organizata të shoqërisë civile, ose organizma ndërkombëtarë që merren me çështjet e fëmijëve.
Unë besoj se ndajmë opinionin që jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje që është tabu për të gjitha demokracitë, për të gjitha kushtetutat, është tabu për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci, që është dhuna.
Kemi parë se si dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar. Jo vetëm kaq, por kemi parë se si dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues, duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që të gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, mësimit, lirisë dhe të drejtës për të pasur një qëndrim ndryshe, të pronës publike apo private, kanë marrë një status qytetarie dhe një imunitet mediatik si përfaqësues apo përcjellës të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem.
Kjo e gjitha është natyrisht e lehtë të ekspozohet dhe kritikohet. Nëse mbetemi te ekspozimi dhe kritika, do ta kemi përpara në forma dhe momente nga më të ndryshmet si një mjet të ri të adoptuar nga shoqëria, që pastaj mund të përdoret individualisht nga secili, nga çdo i ri apo e re e keqedukuar. Mund të kthehet në një mjet që mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, universitetit, pronarit të sipërmarrjes, kundër gjithkujt apo gjithçkaje që dikush e konsideron pengesë për të ushtruar të drejtat e tij, ku liria e secilit nuk mbaron më ku fillon liria e dikujt tjetër.
Ky është fenomeni që na është shfaqur. Ajo që mbetet shqetësuese është pjesëmarrja në numër dhe në formë e shumë të miturve. Të mitur që, para se t’i konsiderojmë fajtorë, duhet t’i konsiderojmë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Para se t’i dënojmë, duhet të mendojmë se si të neutralizojmë burimet ku ata ushqehen me frymën dhe joshjen e dhunës. Para se të shpjegojmë dhe të gjejmë se kush i përdori dhe i keqpërdori, duhet të shpjegojmë dhe të gjejmë se si familjet e tyre duhen ndihmuar në përpjekjen për t’i kthyer në një sens bashkëjetese”, tha Rama.




