Subscribe

Prej disa vitesh, furrat e bukës janë në një ngërç me OSHEE dhe Entin Rregullator të Energjisë sa i takon tarifimit për energjinë elektrike.Në furrat e bukës janë të instaluara dy matës të energjisë elektrike, duke bërë në këtë mënyrë dy tarifime të ndryshme: 7.6 lekë për kilovatorë për ata që prodhojnë vetëm bukë dhe 14 lekë për kilovatorë për ata që veç bukës, prodhojnë edhe brumëra e pastiçeri.

 

Por në terren, ky aplikim nuk ka gjetur zbatim pasi sipas autoriteteve, ka abuzime nga furrat e bukës që prodhojnë edhe produkte të tjera, duke përfituar tarifën e mbrojtur prej 7.6 lekësh. Për t’i dhënë fund abuzimit, ERE kërkon nga furrat e bukës që jo vetëm të kenë të instaluar dy sahatë, por edhe të njëjtin ambient ta ndajnë në dy biznese të ndryshme: një vetëm prodhim të bukës dhe një tjetër për prodhim të brumrave dhe pastiçerive. Por pse është e pamundur për t’u realizuar kjo sipas grupeve të interesit?

 

 

GËZIM PESHKEPIA

SHOQATA E PRODHUESVE TE BUKES, PASTIÇERISE DHE BRUMRAVE

“Ky vendim i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa dijeninë tonë nuk është i zbatueshëm, veçanërisht pas 4 vitesh procedurë të vendosjes së dy sahatëve. Pasi kjo do të kërkonte jo vetëm objekte të ndara, por dy certifikata pronësie, dy licenca nga tatimet si edhe kushte të tjera plotësuese nga AKU-ja, për të dy ambientet.”

 

Zgjidhja që propozohet nga grupet e interesit është kjo:

 

GËZIM PESHKËPIA

SHOQATA E PRODHUESVE TE BUKES, PASTIÇERISE DHE BRUMRAVE

“Furrat e bukës që prodhojnë e shesin bukë të jenë në ambient fizik të ndarë pa certifikatë pronësie dhe me matës të veçantë, me tarifimin 7.6 lekë. Furrat që prodhojnë bukë dhe prodhime brumi, të kenë tarifimin alternative 9.5 lekë. Prodhimi dhe shitja e pastiçerisë dhe brumrave ku nuk ka prodhim buke, të jetë me tarifim 140 lekë.”

 

Sipas furrave të bukës, ndarja në dy biznese të ndryshme është e pamundur të kryhet në terren sepse kanë kryer investime ndër vite për ta sjellë dyqanin në formën që ka sot, duke tregtuar edhe bukë, edhe produkte të tjera. Ata kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, për të zgjidhur plotësisht ngërçin e krijuar ndër vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *