Edhe pse taksa e pronës do të dyfishohet ose katërfishohet sipas projektligjit të ri që Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik, qytetarëve që kanë vetëm një banesë nuk pritet tu rëndoje ne xhepat e tyre si pasojë e përgjysmimit të pragut të tatueshëm.
“Nëse do të kemi vetëm një rritje që do të dyfishohet në normën minimale, ndërkohë që kemi një bazë të tatueshme që është gjysma e vlerës së pronës, atëherë për personat që kanë vetëm një banesë barra fiskale do të mbetet pothuajse në të njëjtat nivele. Ndërsa për individët që kanë një banesë të dytë, minimalisht barra do të dyfishohet, duke arritur deri në katërfishim”, Edvin Stefani, pedagog i fiskalitetit.
Norma e rritjes së taksës është e konsiderueshme, por sipas ekspertit kjo lëvizje nga ana e qeverisë nuk bëhet për të mbledhur më shumë të ardhura për buxhetin.
“Kjo ishte një lëvizje e pritshme prej kohësh. Qeveria shqiptare është nxitur edhe nga rekomandimet e FMN-së, pasi sistemi aktual i taksimit të pronës konsiderohet i ulët krahasuar me vendet e tjera. Megjithatë, rritja nuk ka si qëllim mbushjen e buxhetit, por më shumë afrimin e sistemit tonë me modelet e taksimit që zbatohen në Europë.”
Sipas ekspertit, projektligji lë ende të pazgjidhur një çështje të rëndësishme, e cila duhet të sqarohet me një udhëzim të veçantë.
“Dilema lidhet me faktin se deri më sot kemi punuar me vlerën e kontratës së blerjes së pronës, ndërsa tashmë duhet të kalojmë te një vlerë e re. Kjo vlerë, sipas metodologjisë aktuale, duhet t’u referohet çmimeve minimale të zonës, pra çmimeve referencë. Nëse do të aplikohet kjo metodë, atëherë do të kemi një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e llogaritjes së taksës së pronës.”
Sipas relacionit të projektligjit, të ardhurat nga taksa e pronës në Shqipëri përbëjnë një nga nivelet më të ulëta në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto krahasuar me vendet e tjera të rajonit, çka sipas qeverisë e bën të nevojshme këtë rritje.
/vizionplus.tv





