Presidenti amerikan Donald Trump priti për mbi dy orë në rezidencën e tij në Florida presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Pas takimit, Trump e cilësoi bisedën “të shkëlqyer”, duke deklaruar se janë diskutuar shumë çështje dhe se palët janë “shumë afër” një marrëveshjeje.
Trump bëri të ditur se së bashku me Zelenskyn kanë zhvilluar edhe biseda me liderë evropianë, të cilët i përshkroi si “liderë të shkëlqyer”, duke theksuar se është shënuar përparim i konsiderueshëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë. Ai shtoi se ishte një nder të priste delegacionin ukrainas, të cilin e cilësoi si “të fortë dhe të vendosur”.
Nga ana e tij, presidenti Zelensky falënderoi Trumpin për takimin, duke bërë të ditur se janë diskutuar të gjitha aspektet e kornizës së paqes. Sipas tij, një plan paqeje me 20 pika është dakordësuar rreth 90%, ndërsa garancitë e sigurisë mes SHBA-së dhe Ukrainës janë dakordësuar plotësisht. Zelensky shtoi se ekipet evropiane dhe ukrainase do të vazhdojnë punën në javët në vijim, ndërsa takimi i radhës pritet të zhvillohet në janar në Uashington.
/vizionplus.tv





