Në javën e tretë të bojkotit, studentët e mjekësië së përgjithëshme kanë deklaruar se kanë gati padinë për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, ligjin që i vendos mes dy zgjedhjeve.
Të paguajnë 250 mijë lekë tarifën për vit studimi ose të nënshkruajnë një kontratë me shtetin për 2 deri në 5 vite punë të detyruar në Shqipëri, pas studimeve. Ata shprehen se nuk do të ketë kompromis.
Zyra e dekanatit në fakultetin e mjekësisë së përgjithëshme po monitoron në heshtje protestat e studentëve. Ndërkohë, të rinjtë shprehen se do të gjendet një mënyrë për të zëvendësuar orët mësimore, duke pretenduar se e kanë mbështetjen e stafit akademik.
Edhe këtë të mërkurë, marshimi paqësor nisi nga godina e Kuqe dhe përfundoi tek ministria e arsimit dhe sportit.
Sërish, studentët kërkuan një përballje me ministren Ogerta Manastirliu, ata shprehen se kalimi i ligjit me procedurë të përshpejtuar është në shkelje të dinjitetit të tyre.
“Ky ligj do anulohet sepse është i pakuptim. Që tek mënyra se si u miratua dhe fakti që ne u injoruam. Lë të kthehet mbrapsht sepse shkel të drejtat tona kushtetuese dhe të mendojmë një zgjidhje efektive për të mbajtur bluzat e bardha në Shqipëri.”
“Ne do të vazhdojmë bojkotin, sot ka edhe studentë nga farmacia, infermeria dhe degë të tjera. Jemi të vendosur për të kërkuar të drejtat tona. Le të na plotësojnë kushtet dhe ne nuk ikim.”
Sakaq, ministria e Arsimit dhe Sportit në një reagim për vizion plus është treguar e gatshme për të pritur studentët në diaskutime mbi problematikat që i shqetësojnë ata. Por gjithashtu fton të rinjtë që ta shohin ligjin në të mirën e tyre personale por edhe të Shqipërisë.