SPAK ka dalë me njoftimin zyrtar për mjekun kardio-kirurg Edvin Prifti.

Sipas njoftimit të SPAK, janë faktuar 7 raste që Prifti ka marrë para nga pacientët për t’i operuar nga zemra.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar, se i pandehuri Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza””, njofton SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, atij i janë gjetur mijëra euro dhe dollarë gjatë kontrollit në banesë.

Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës, dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në CASH, për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund  t’i justifikonte me burime të ligjshme, shuma të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, dhe më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë. Në vijim të një hetimi të gjithanshëm dhe objektiv të këtij procedimi, është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar, dhe në përfundim janë sekuestruar në gjashtë llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë. Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434 319 (katërqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e nëntëmbëdhjetë) Euro, 67 914 368 (gjashtëdhjetë e shtatë milion e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) Lekë, si dhe 7 600 USD”, njofton SPAK.

Por për të justifikuar shumat e mëdha monetare dhe për t’iu shmangur detyrimeve tatimore, mjeku merrte kupona fiktivë nga klinika të ndryshme.

Hetimi ka provuar se, i pandehuri prej vitit 2018, e në vijim, ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregëtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore etj., fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore”, njofton SPAK.

Mjeku Edvin Prifti akuzohet për tre veora penale, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *