Inflacioni zbriti në muajin prill në nivelin më të ulët që pas pandemisë. Sipas INSTAT, ky tregues, që mat çmimet e mallrave dhe shërbimeve kryesore, shënoi 2.1% muajin e shkuar nga 2.4% që ishte në mars.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko shpjegoi se inflacioni po bie përtej parashikimeve të Bankës Qendrore për shkak të rënies që po pësojnë çmimet e ushqimeve në tregjet e huaja.

“Rritja e ofertës së artikujve ushqimorë ka sjellë një rënie të shpejtë të inflacionit të tyre në të gjithë vendet e rajonit. Megjithatë, efekti i kësaj goditjeje në Shqipëri ishte më i ndjeshëm, si pasojë e peshës së lartë që artikujt ushqimorë kanë në shportën e konsumit”, tha Sejko.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë pret që kjo situatë në tregjet ndërkombëtare të jetë e përkohshme dhe për këtë arsye, vendosi të mbajë të pandryshuar në nivelin e 3.25% normën bazë të interesit për lekun.

“Analizat tona sugjerojnë se çmimet e ushqimeve në vend do të vijojnë të jenë subjekt i kësaj goditjeje edhe për disa muaj, por efekti i saj pritet të mbetet gjithsesi kalimtar. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, mbeten relativisht të larta. Këto presione ushqehen nga kërkesa solide për mallra e shërbime, kërkesë e cila pasqyrohet në rritje të shpejtë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit të sektorit privat”, tha Sejko.

Banka Qendrore parashikon që inflacioni të rikthehet në objektivin prej 3% brenda një viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *