Subscribe

Presidenca sllovene e Këshillit të Bashkimit Evropian këmbëngul që deri në fund të këtij viti, të hapen negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Në draftin e përfundimeve për takimin e të martës që vjen, thuhet se “Këshilli e shikon të hapur mundësinë e zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare me Tiranën dhe Shkupin, sa më shpejt që të jetë e mundur këtë vit, pasi të aprovohet korniza negociuese nga ana e Këshillit”.

 

Konferencat ndërqeveritare janë takimet e BE-së me delegacionet e vendeve kandidate, me të cilat zhvillohen negociatat, por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë nëse nuk miratohet korniza negociuese e BE-së.

 

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, miratimin e kësaj kornize prej më shumë se një viti e mban të bllokuar Bullgaria, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në raportet dypalëshe.

 

Edhe pse procesi i zgjerimit është i bazuar mbi parimet e meritave individuale, pra secili shtet vlerësohet individualisht, Shqipëria ka mbetur peng i bllokimit të Maqedonisë së Veriut. Në rastin e Shqipërisë nuk ka asnjë vend anëtar të BE-së që e kundërshton nisjen e negociatave.

 

Por, disa diplomatë shprehen se nëse nisin negociatat me Shqipërinë e jo edhe me Maqedoninë e Veriut, atëherë bllokimi i kësaj të fundit mund të zgjasë edhe më shumë.

 

Takimi i Këshillit të çështjeve të përgjithshme në nivel ministrash është i fundit për këtë vit dhe i fundit nën presidencën sllovene të BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *